Çdo herë që zhvillohen zgjedhje politikanët sigurohen të bindin popullin t’ia japë atyre votën. Por, në Shqipëri ndër vite më tepër se bindja politike, njerëzit votojnë sipas shit-blerjes së votës. Një fenomen aspak i ri për shoqërinë tonë, por si pasojë e skandaleve të fundit. Si edhe zgjedhjet që mendohet të kryhen në Qershor, e kanë risjellë më tepër në vëmendje këtë dukuri.
Por, çfarë është shit-blerja e votës? Një individ voton një parti apo kandidat të caktuar. Dhe në këmbim të votës, ata iu japin para apo favore të tjera. Jo më pak e njohur është edhe shantazhimi për mbajtjen e vendit të punës. Ku për frikën se mos pushohen, punonjësit janë të ‘detyruar’ të votojnë partinë që i kërkohet, direkt ose indirekt.
Tirana Today pyeti qytetarët se nëse ata kanë shitur ndonjëherë votën për një kandidat apo parti të caktuar. Edhe pse druhen të përgjigjen për veten, të gjithë janë dakord që votat në vendin tonë blihen. Por, jo vetëm nga një forcë politikë, por nga të gjithë.
“Për mendimin tim vetëm zgjedhjet në vitin ’92 janë bërë realitet e të drejta. Se asnjë tjetër nuk i ka plotësuar kushtet, të gjitha janë të blera e të shitura. Partitë janë për tu fshirë të treja palët dhe jo vetëm njëra.”
“Të gjithë politikanët e bëjnë këtë gjë, shkojnë e blejnë vota. Ama për ne popullin nuk bëjnë asgjë. Por, mua asnjëherë nuk më ka ndodhur të më kërkojnë blerjen e votës. Edhe nëse do të ndodhte, nuk do ta shisja.”
“Politikanët nuk blejnë vota, ato ia japin vetë populli. Unë për vete jam vetë i shtatë në familje dhe nuk më është afruar asnjë njeri për t’i blerë. Kjo është gjë shumë e mirë, se nuk duhet ta shesë askush veten. Kështu i bëhet dëm kombit, ata që i shesin janë njerëz pa karakter.”
“Kjo gjë dihet, të gjithë e dimë që votat blihen. Gjithë ai hashash që u mboll në të gjithë Shqipërinë, ku shkuan lekët?! Të gjitha për vota kanë shkuar. Unë për këta nuk do e shisja votën për asnjë lekë. Këtyre është për t’i dhënë helm.”
Të paktë janë ata qytetarë të cilët e pranojnë hapur se nëse do t’i ofrohej një shumë e caktuar do ta pranonin. Ndërkohë është për të ardhur keq se shumë njerëz janë në kushte aq të vështira, saqë këtë gjë do ta bënin edhe për 10 mijë lekë të vjetra.
“Edhe blejnë politikanët vota. E fundja fundit është gjë normale, sepse dhe politika tregti është. Mua po të më afrohen e të më kërkojnë, unë e shes votën. Vallaj dhe 10 mijë lekë të vjetra e shes. Unë ndonjëherë votoj, ndonjëherë jo. Para dy vitesh votova, por nuk mu afrua asnjë njeri, se do e kisha shitur.”
Ndërkohë, dikush tjetër voton një kandidat të caktuar, me qëllimin e vetëm, ruajtjen e vendit të punës.
“Ata politikanët tanë kanë punuar, deputetët lodhen, ministrat vuajnë shumë. Bëjnë punë shumë të rënda, lekë kanë dhe i përdorin për vota. Ama i blejnë, nuk i vjedhin. Se ata nuk i marrin me zor, njerëzit ia japin vetë. Vota është e lirë, ndaj unë ia jap kujt të dua vetë. E shes, nuk dal për të votuar fare. Një pjesë kështu e bëjnë, pjesa tjetër e japin me koncension për vend punë.”
Në mesin e tyre, janë edhe ata qytetarë të cilët janë militantë të një partie. Saqë besojnë se partia nuk është përfshirë asnjëherë në shit-blerje votash. Edhe pse jo më larg se sot, gazeta “Bild” publikoi disa audio që implikonin kryebashkiakun Vangjush Dako.
“Unë nuk e kam shitur asnjëherë votën, gjithmonë ia kam dhënë atij që kam dashur. Ramës. Ai dhe partia e tij asnjëherë nuk ka blerë vota dhe këto që kanë dalë janë kot, thashetheme.”/ TIRANA TODAY