Gazetarja Klodiana Lala ka folur lidhur me përgjimet e publikuara sot nga gazetari gjerman, Peter Tiede.
E ftuar në “Opinion” në News 24, Lala tha se në fakt është takuar me gazetarin gjerman dhe ka mbetur e surprizuar nga të dhënat dhe informacionet që ai kishte.
“Jam kontaktuar nga një avokat, i cili më ka thënë se gazetari Tiede donte të më takonte. Fillimisht kam bërë disa kërkime modeste, pashë që kishte punuar edhe në vendet arabe. Ka ardhur dhe jemi takuar së bashku me avokatin, i cili më ka përkthyer, pasi Tiede kishte pak vështirësi me disa fjalë në anglishten, por edhe për të qenë më të saktë. Më ka pyetur: A drejtohet Shqipëria nga mafia? I kam thënë “jo”. I thashë se fakti që ka disa eksponentë, nuk mund ta përgjithësojmë si akuzë. Ai ka shumë burime, jo vetëm të besueshme, por do thoja të forta. Jam surprizuar nga ajo që dinte. E kam pyetur dhe më tha se ne si gazetarë e dimë si funksionon, kishte burimet e veta, por që nuk m’i tregoi. Është rreth të 45-ave, të paktën këtë përshtypje më la. Madje kishim një batutë, i thashë këtu rreth kësaj moshe gazetarët dalin në pension, ndërsa ju jeni në kulmin e karrierës. Ai ka qenë edhe në veri, nuk di të them nëse do publikojë artikuj të tjerë.”
Lala komentoi edhe reagimet e Prokurorisë, të cilat i konsideroi si të panevojshme dhe fyese për gazetarët. Madje tha se në vend të reagimeve të panevojshme, duhej që tashmë të hapej dosja dhe të nisnin hetimet.
Po ashtu, gazetarja vlerësoi punën e bërë nga Tiede:
“Duhet vlerësuar pa dyshim se si një gazetar gjerman arrin të publikojë përgjime të tilla, të cilat tregojnë fytyrën e shtetit shqiptar. Për një moment e xhelozova, do doja të kisha qenë unë autore e atyre përgjimeve. Të jemi realistë, është një mësim edhe për median shqiptare”./ Tirana Today