Spanja e pagoi shumë shtrenjtë pjesëmarrjen e saj përkrah SHBA-së, në Luftën e Irakut, dhe atë në Afganistan kundër talebanëve me herët. Tre bomba me 200 kg eksploziv në total, shpërthyen njëra pas tjetrës në një tren në metronë e Madridit. Shpërthimet vranë 193 persona, dhe plagosën rreth 2.000 të tjerë.
Ai ishte dhe mbetet sulmi më i rëndë terrorist në një vend evropian, që pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA. Terroristët e kishin zgjedhur enkas kohën e sulmit: 3 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, të cilat partia e djathtë në pushtet i humbi. Ndërsa të majtët që u ngjitën në krye, nisën të reduktojnë trupat ushtarake spanjolle në Irak dhe Afganistan. Qeveria nxitoi në fillim të akuzonte për këtë akt organizatën ekstremiste baske, ETA. Por nga hetimet u zbulua se sulmet, ishin organizuar nga një celule terroriste pranë Al-Kaedës.
Policia arriti pas disa javësh të gjente dhe rrethonte terroristët e dyshuar, të cilët hodhën veten në erë në momentin e fundit. Ende sot mediat dhe përfaqësues të së djathtës, mbrojnë një teori komploti se sulmi ishte inskenuar qëllimisht për të rrëzuar nga pushteti Partinë Popullore. Sipas tyre shpërthimet u organizuan nga ETA dhe anëtarët e forcave të sigurisë dhe shërbimeve sekrete spanjolle dhe ato marokene.