Kosova dhe Serbia duhet të paguajnë nga një haraç për të arritur një marrëveshje njëra me tjetrën. Ku do të përfshijë territore nga Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës.
Ky është një nga skenarët që paralajmëron analisti Ben Andoni. Në një intervistë për Tirana Today, ai thekson se nuk bëhet fjalë për nisjen e një lufte, por për krijimin e një statuskuoje të re. Ndërkohë sipas Andonit problemi i zgjidhjes së Kosovës, do të kalojë në një konflikt të ngrirë.
“Bisedimet janë duke ecur në rrafsh shumë të panjohur. Dhe kjo shihet nga diskursi që po bën presidenti serb dhe ai kosovar, për qartësinë në mënyrën sesi ata artikulojnë. Në fakt janë disa skenarë që po hedhin dhe më shumë ti mëson nga pala serbe sesa nga ajo kosovare. Ajo çka është e dhimbshme është që faktori serb është bërë shumë më aktiv dhe shumë më i gjallë. Veçanërisht në krahasim me peshën kosovare.
Çfarë mund të pritet është që do të ketë lëshime shumë të mëdha nga Kosova. Lëshime të cilat patjetër që do të prekin Veriun. Si edhe pritet që serbët të kenë krijimin e Asociacionit të Komunave të tyre.
Kosova shpreson të fitojë vetëm njohjen dhe të ulet në OKB.”
Sipas Andonit, që prej shpalljes e pavarur, Kosova ka tendencën të bëjë lëshime përballë presioneve të Fuqive të Mëdha. Ndaj edhe në këtë rast, pritet një “dhënie” e territoreve, deri në pikën e ndarjes së Kosovës.
“Njohja absolutisht që nuk është më e rëndësishme se mbajtja e territorit, por Veriu i Kosovës është pa akses nga qeveria qendrore në Kosovë. Ndaj po flitet që dy komunat që janë në Veri të kalojnë në territorin sllav. Ndërsa pjesa tjetër dhe administrata të jenë në administrimin e Kosovës dhe e ardhmja shkon deri te parashikimi që Kosova të ndahet.
Ekziston tani një projekt që Serbia mos ta njohë Kosovën, por Kosova të jetë pjesë e OKB-së. Dhe kjo është një fitore e madhe për Kosovën.”
Analisti thotë për Tirana Today se edhe Serbia nuk do të dalë plotësisht e fituar, pasi mendohet që edhe ajo të japë territor.
“Një plan është që Kosovës t’i bashkohen pjesë të Luginës së Preshevës, që janë zona të paintegruara fare. Kështu në njëfarë mënyre zgjidh edhe pjesën e integrimit të këtij komuniteti. I cili është gati i harruar. Për serbët është një humbje e madhe sepse është një zonë që pengon qarkullimin e tyre lirisht ndërmjet tre zonave që janë atje. Dhe mbi të gjitha humbasin një pjesë ku ata diktonin mbi shqiptarët.
Serbët kanë problem shumë më tepër sesa shqiptarët për sa i përket këtij dialogut. Prandaj edhe tani kanë ulur pak kokën.”
Por, edhe pse rivendosja e kufijve është e një mundësi e kundërshtuar nga shumë njerëz të politikës së brendshme dhe ndërkombëtare; sipas Andonit kjo është mundësia më e mundshme të ndodhë. Ku sipas tij edhe popujt në Kosovë e Serbi nuk do të kenë shumë kundërshtime, pasi janë të lodhur tashmë.
“Bashkimi Evropian është shprehur kategorikisht kundër ndarjes së territoreve. Por, në ditët e fundit BE-ja ka një tërheqje shumë të çuditshme. Në Kosovë dhe Serbi njerëzit janë shumë të lodhur me atë që po ndodh për dialogun. Primare është mbijetesa ekonomike.”/ TIRANA TODAY