Kryesore

Zbardhet SMS-ja urgjente e Ramës për socialistët. Blindohet Kuvendi, gardh metalik e tela me gjemba

               Publikuar në : 09:39 - 13/06/19 M. S

Teksa pritet që në seancën e sotme plenare të zhvillohet 5 orë debat për dekretin e presidentit Ilir Meta, në Kuvend janë vënë re një shtim të masave të sigurisë. Tek godina e Parlamentit do të jenë të pranishëm 250 efektivë. Vlen të theksohet fakti se godina është rrethuar me gardh metalik dhe tela me gjemba. Duket se masat janë marrë për t’i bërë pritë ndonjë skenari të paparashikueshëm nga opozita.

Deputetët e PS-së janë udhëzuar me një memo, shpërndarë për grupin e socialistëve, para seancës plenare të mocionit me debat për presidentin Ilir Meta, për të cilin, edhe dje kryeministri Rama theksoi se e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë detyrë.

Me një memo të gjatë, PS argumenton gjithë precedentët e rrezikshëm, sipas saj, që krijon anulimi i datës së zgjedhjeve.

MEMO

Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Arsyetimi kundër Aktit të Presidentit të datës 8 Qershor 2019 që shfuqizoi Dekretin e Nëntorit 2018 për caktimin e datës 30 qershor 2019 si ditën e zgjedhjeve vendore

  1. SITUATA

Në datën 05.11.2018, Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10928 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” ka vendosur datën 30 Qershor 2019 si ditën për organizimin e zgjedhjeve vendore. Këtë dekret Presidenti e nxjerr në bazë të gërmës gj, neni 92 i Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor (neni 8, 9 dhe 10).

Në datën 10.06.2019, Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, duke kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit dhe legjislacionit që regullon në mënyrë të posaçme zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë.

Ky është një akt absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë nga organi publik jashtë kompetencave të tij si dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, (neni 108 e vijues i K.Pr.Administrative) dhe si i tillë konsiderohet një akt nul dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Ky akt është dhe një atentat ndaj Kushtetutës së vendit pasi bie në kundërshtim flagrant me një sërë dispozitash kushtetuese sic shpjegohet më mirë në seksionin 3 më poshtë.

  1. SFONDI HISTORIK DHE POLITIK

– Akti i paprecedentë i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, vjen në momente të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe në kohën kur vendi po vijon me reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, konkretisht:

Vendi është në pritje të vendimit të Këshillit Europian pas rekomandimit pa kushte të shprehur në raport progresin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE, vendim që pritet të merret brenda qershorit 2019;ü

Në Kuvend, Komisioni i Reformës Zgjedhore po punon për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të pranuar gjerësisht nga aktorët politikë në vend, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR pasqyruar në raportet e monitorimit për zgjedhjet e mëparshme si dhe në harmoni të plotë me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të barabarta;ü

Reforma në drejtësi është në procesin e zbatimit të saj; ngritja e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, hapat e ndërmarrë për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, etj jo vetëm janë vlerësuar nga BE dhe partnerët ndërkombëtarë me nota shumë pozitive, por në raport progresin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019, Shqipëria u veçua si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha e vendet e Ballkanit Perëndimor, për reformën në drejtësi si një reformë unike dhe efektive për reformimin e pushtetit gjyqësor; kjo reformë po jep rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizur.ü

– Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve nxirret në një kohë kur ish deputetë të PD dhe LSI kanë djegur mandatet; këta ish deputetë kanë braktisur mekanizmat parlamentarë duke organizuar protesta të dhunshme të mbështetur nga militantët e tyre dhe kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve, qeveri teknike pa Kryeministrin Edi Rama. Është pranuar gjerësisht nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe në raportin e Komisionit Europian të Majit 2019 se bojkoti i opozitës ka ndikuar negativisht në ecurinë e reformave kyce, por pavarësisht kësaj Shqipëria ka vazhduar të shënojë progres të rëndësishëm në të gjithë drejtimet dhe se dorëheqja nga mandatet e disa deputetëve opozitarë është një akt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, që i bie ndesh përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve; Protestat e dhunshme të opozitës jashtëparlamentare dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri, që janë kritikuar ashpër nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtare, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; në raport progres 2019 thuhet se vakancat e krijuara në kuvend u plotësuan dhe kuvendi ia doli të ruante funksionalitetin e tij, ndërsa të gjithë partnerët ndërkombëtarë, së bashku me BE dhe SHBA, konsiderojnë parlamentin dhe qeverinë si legjitimë, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme të gjithëpranuara nga subjektet politike, (përfshi opozitën e sotme të rrugës), si dhe OSBE/ODHIR, KiE, dhe

  1. ARGUMENTAT
  • Mungesa e kompetencës

Presidenti nuk ka kompetencë për të nxjerrë këtë akt

Presidenti, referuar parashikimeve kushtetuese, në lidhje me zgjedhjet, ka vetëm një kompetencë, atë të dekretimit të datës së zgjedhjeve, prej të cilit ndërvaren një seri vendimmarjesh të KQZ. Kjo e fundit sapo merr dijeni për dekretin e datës së zgjedhjeve fillon veprimtarinë për organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor.

Kjo kompetencë ushtrohet nga Presidenti vetëm një herë për cdo zgjedhje, sipas parashikimeve kushtetuese dhe të legjislacionit në fuqi për zgjedhjet (neni 92/gj dhe neni 94 i Kushtetutës dhe nenet 8, 9, 10 të K.Zgjedhor). Ndryshimi i datës së zgjedhjeve administrative nuk është një prerogativë e Presidentit e parashikuar në Kushtetutë apo kod zgjedhor.

Sipas nenit 94 të Kushtetutës Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës është nul dhe konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Përvec kësaj cdo akt duhet të dalë në bazë të kushtetutës ose ligjit dhe kjo nënkupton parimin e ligjshmërisë mbi bazë të të cilit ushtron funksionet organi publik (Neni 4 i K.Pr.Administrative – Organet publike ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë, brenda kufijve të kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca). Nuk është parashikuar as në kushtetutë, as në ligj shtyrja e zgjedhjeve në mënyrë eksplicite, si dhe rrjedhojë akti i Presidentit përvec se është nxjerrë në mungesë të kompetencës bie ndesh dhe me parimin e ligjshmërisë.

  • Shkeljet Kushtetuese

Akti i Presidentit është një atentat kushtetues që shkel një sërë nenesh ku mishërohen parime të rëndësishme të demokracisë.

Cënon rëndë të drejtën e zgjedhjes së shtetasve (neni 45 i Kushtetutës)ü

Zgjedhjet janë e drejta e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë periodike përfaqësuesit e tyre dhe mundësia e partive politike për të garuar e për të fituar cilësinë e përfaqësuesit të popullit npm votës. Kushteta dhe ligji ngarkojnë organet publike me detyra te veçanta per realizimin e kësaj te drejte nga shtetasit. Presidenti ka vetëm nje detyre – të caktojë datën e zgjedhjes; me kryerjen e kësaj detyre e ka mbaruar misionin e tij në zgjedhje; janë organet e tjera që vijojnë realizimin e detyrave të tjera për ushtrimin efektiv nga shtetasit të së drejtës së votës.

Anullimi i datës së zgjedhjeve, nga Presidenti në mungesë të kompetencës për një akt të tillë mohon realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, pasi tenton të ndërhyjë në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, që është në fakt realizuar në mbi 80% të tij nga data kur është nxjerrë dekreti i Nëntorit 2018 e deri më sot.

Presidenti shkeli parimin e unitetit kombëtar (neni 86 i Kushtetutës)

Presidenti është neutral, i paanshëm dhe i pavarur. Pavarësia e tij garantohet në mishërimin e parimit të përfaqësimit të unitetit të popullit, që nënkupton se Presidenti është i të gjithë popullit, pa iu referuar ndonjë orientimi politik të caktuar dhe se në vendimarrjen përkatëse nuk duhet të mbajë kahje politike.

Me vendimin e tij, Presidenti mbajti qartësisht anën e opozitës jashtëparlamentare që ka djegur mandatet dhe kërkon prej kohësh shtyrjen e zgjedhjeve. K.Europian, nmp zëdhënëses Kocijanic shumë qartë dje theksoi: “…Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe jo për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale seriozisht pengojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, i cili funksionon plotësisht. Tani është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale…”.

Qartësisht Presidenti mbajti anën e opozitës, veprimet e të cilës janë të qëllimshme dhe të papranueshme në demokraci, dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin.

Shkeli parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (neni 1, prg 3 i Kushtetutës)ü

Në Shqipëri qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Periodiciteti është 4 vjet. Shtyrja e zgjedhjeve dhe për më tepër pa datë e cënon periodicitetin pasi lë në detyrë organet e zgjedhura (në rastin konkret të pushtetit vendor) më shumë se 4 vjet.

Presidenti shkeli parimin e sovranitetit të popullit (neni 2, prg 1 dhe 2 i Kushtetutës)

E drejta e sovranitetit është e popullit që e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve (të zgjedhurve deputetë në Kuvend apo të zgjedhurve në pushtet lokal apo direkt (referendume). Këtë të drejtë populli do e ushtrojë në 30 qershor. Me shtyrjen e datës nga Presidenti, kjo e drejtë mohohet.

Presidenti i zgjati organeve vendore mandatin tej afatit Kushtetues (neni 109 i Kushtetutës)

Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe sepse ka vendosur të zgjasë mandatin e organeve zgjedhore tej mandatit të tyre kushtetues. Sipas Kushtetutës (neni 109), “Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.”.

Sipas të dhënave zyrtare rezulton se, Vendimi i KQZ për organet vendore ekzistuese mban datën 10 Gusht 2015. Si rrjedhojë data 10 Gusht 2019, është dhe dita e mbarimit të mandatit të organeve vendore. Presidenti i Republikës, duke anuluar zgjedhjet e datës 30 qershor ka shtyrë mandatin e organeve vendore tej datës 10 Gusht 2019. Përvec sa më sipër, organet e qeverisjes vendore në largim nuk mund të ushtrojne tagra pushteti pas përfundimit të mandatit të tyre si organe të zgjedhura. Me mbarimin e mandatit katër vjeçar, në Shqipëri nuk mund të ketë më as kryetarë, as këshilla bashkie, sepse në këtë mënyrë do të qeverisej pa zgjedhje

Presidenti shkeli traditën Kushtetuese të konsultimit të palëve

Nuk mund të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve pa pëlqim paraprak të partive politike, që janë palët në procesin zgjedhor, aq më tepër kur procesi është gati në përfundim të tij. Në rastin e ndryshimit të datës së zgjedhjeve në vitin 2007 dhe 2017 ishte një situatë krejt tjetër, sepse palët u dakortësuan për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Në këto raste, Presidenti me konsensusin e tyre vendosi të shtyjë datën në një datë tjetër, por pa cenuar ligjin si dhe mandatin e organeve të zgjedhura. Shtyrja e datës u bë brenda kufijve të ligjit pa cenuar atë që konsiderohet periudhë zgjedhore. Në rastin konkret çështja është krejt ndryshe, sepse data zgjedhore shkon pas 15 shtatorit 2019.

Vetë dekreti që Presidenti tentoi të shfuqizojë i është nënshtruar me rigorozitet kësaj procedure kushtetuese.

Presidenti synon të zgjidhë një pseudo krizë institucionale që e analizon në diskutimin e tij për të justifikuar anulimin e zgjedhjeve

Së pari: nëse ka krizë, kjo është një krizë dhe luftë për mbijetesë e opozitës që doli në rrugë, që ka humbur besimin e elektoratit të vet dhe që braktisi institucionet demokratike duke vepruar haptazi në kundërshtim me parimet demokratike. Kjo opozitë po synon të destabilizojë vendin me protesta të dhunshme dhe me aktin e tij presidenti mori kahje të qartë nga opozita duke shkelur betimin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar.

Së dyti: edhe nëse ka ndonjë problematikë institucionale, nuk do të zgjidhej kurrsesi me një akt të pavlefshëm absolutisht dhe që cënon të drejtat e shtetasve për të zgjedhur, sic është akti për shfuqizimin e dekretit të presidentit me të cilin cakton 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore dhe nuk është ai institucioni i vetëm që kujdeset për shtetin.

Presidenti deklaroi se nuk mund të bëhen zgjedhje pa pjesëmarrjen në garë të aktorëve politikë (Presidenti bëri analizë të përqindjes së votave që subjektet politike kanë fituar në zgjedhjet e mëparshme për të justifikuar që nuk mund të ketë zgjedhje nëse ata nuk regjistrohen si subjekte zgjedhore)ü

Përvecse, Presidenti mbajti anën e opozitës, veprimet e të cilës janë të qëllimshme dhe të papranueshme në demokraci, dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin, duke shkelur parimin e unitetit kombëtar, Presidenti mori përsipër të japë leksione demokracie që nuk ekzistojnë në asnjë vend demokratik. Zgjedhjet janë për popullin e jo për partitë. Një shtetar i përgjegjshëm duhet të shqetësohet nëse cdo shtetasi i krijohet mundësia reale të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e tij kushtetuese të zgjedhjes. Gjithashtu rëndësi ka që shteti t’i krijojë kushtet optimale dhe të barabarta të gjithë partive dhe subjekteve politike për të garuar në zgjedhje, por zgjedhja e tyre për të mos marrë pjesë në garë elektorale e për të mos u regjistruar si subjekte zgjedhore nuk mund të cënojë procesin zgjedhor. Ky i fundit sic pranohet gjerësisht nga gjithë partnerët është i vlefshëm dhe pa pjesëmarrjen e partive të opozitës jashtëparlamentare.

Partitë nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje, nuk kanë arsye të ekzistojnë, por kjo është punë e tyre dhe nuk ka pse të jetë shqetësim i presidentit?!

Po partive të tjera, që janë regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit, e që kanë votat e tyre në elektorat nuk u cënohen të drejtat kur presidenti anulon zgjedhjet – a nuk jemi këtu në një situatë ku subjektet politike trajtohen në mënyrë të pabarabartë nga kreu i shtetit?! A është kjo sjelle e denjë e një presidenti??!!

Prandaj çmohet se ndërhyrja e Presidentit në këtë fazë të procesit zgjedhor ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës.

Presidenti tenton të justifikojë aktin e tij me arsyetimin e sigurisë kombëtarë – kur nuk e ka përgjegjësi direkte këtë cështjeü

Është e qartë se në bazë të legjislacionit tonë siguria kombëtare është një kompetencë e pastër e pushtetit ekzekutiv dhe aspak përgjegjësi direkte e Presidentit.

Presidenti në një republikë parlamentare si kjo e jona, është një organ neutral, i paanshëm dhe i pavarur, që qëndron në të gjitha pushtetet dhe që nuk bën pjesë në to, është institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike dhe ka kompetenca formale dhe jo thelbësore dhe vendimmarrëse.

Argumentat që solli presidenti janë një hartim i neneve kushtetuese që nuk legjitimojnë aktin e tij

Gjithçka që deklaroi Presidenti në deklaratën e tij të datës 10 qershor dhe në argumentat që jep për të bazuar qëndrimin e tij të aktit që anulon zgjedhjet janë thjesht citime të parashikimeve ligjore kushtetuese dhe parime të përgjithshme të një shoqërie demokratike, të cilat nëse vendosen jashtë cdo konteksti real kthehen në deklarata të nje shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Precedenti i rrezikshëm

Presidenti me këtë veprim krijoi një precedent të rrezikshëm për republikën tonë parlamentare, ku presidenti më së shumti ka rol protokollor. Me logjikën e Presidentit i bie që ai mund të anullojë apo shfuqizojë cdo dekret për emërimë, shkarkime etj … Kjo do të cënonte rëndë veprimtarinë shtetërore të tre pushteteve të shtetit, ku sic thamë më sipër presidenti merr pjesë, po nuk bën pjesë.

Mendoni një moment sikur KQZ ta kishte pranuar për zbatim dekretin e datës 10 qershor. Cdo ndodhte me pasojat që kishte krijuar dekreti qe caktonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve? Janë kryer veprime administrative, janë harxhuar para nga buxheti i shtetit, janë marrë përsipër detyrime e përgjegjësi nga ai dekret. Kush do mbante përgjegjësi për pasojat, shkeljen e të drejtave, dëmet ekonomike etj… Të mendosh pasojat shkojmë në kufijtë e abuzimit me pushtetin dhe papërgjegjshmërisë së lartë të organit publik që e kanalizon te përgjegjësia penale…

Si përfundim

Dekreti i Presidentit që cakton ditën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit është i vetmi akt i ligjshëm i nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Akti i Presidentit që ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, është një akt absolutisht i pavlefshëm, dhe si i tillë konsiderohet një akt nul që nuk mund të prodhojë asnjë pasojë.

Bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, asnjë organ publik nuk ka detyrimin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin.

Nëse ky dekret shfuqizimi gjen zbatim e fillon të prodhojë pasoja ai bëhet objekt shqyrtimi në gjykatë administrative ose kolegj zgjedhor, sipas disponimit të palës që e kundërshton në rrugë gjyqësore.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT