E shtunë, 23 Janar, 2021
12 C
Tirana

Vaksina, një buzëqeshje e fshehur poshtë maskës

Nga: Andi Bushati

Ndonëse Edi Rama i ftoi shqiptarët, këtë vit të ri, të buzëqeshin me shpresë për ardhjen e vaksinës, duket se edhe për shumë kohë ata do të duhen ta fshehin fytyrën e tyre pas maskës. Do të jetë shumë e vështirë, që një fushatë e gjerë vaksinimi ta bëjë më të lehtë 2021-shin, e aq më tepër që të ketë ndonjë ndikim politik në garën zgjedhore.

Ata që do të tentojnë të përdorin Pfazerin, Moderna-n apo Astra Zeneca si një armë elektorale për të retushuar imazhin e rrënuar të qeverisë do të zhgënjehen. Por, fat më të mirë nuk do të kenë as të tjerët, që do përpiqen ta përdorin këtë arritje rekord të shkencës, si një mjet për të dëshmuar paaftësinë dhe korruptimin e kësaj qeverie.

Sfida e vaksinës qëndron përtej sherrjnajës provinciale bipartizane që shohim në Shqipëri. Eshtë e lehtë të kuptohet përse…

Vetë Rama gjithë entuziazëm tregoi se në fund të janarit do të mbërrijnë 10 mijë dozat e para dhe në shkurt edhe 30 mijë të tjera. Duke hequr këtu ndonjë sasi propagandistike që do ti jepet Kosovës, gjithsej në dy muajt e parë të vitit do të vaksionohen rreth 20 mijë persona (një njeri dy doza me Pfizer) kryesisht mjekë, policë, arsimtarë dhe të moshuar. Pra një shifër krejtësisht e papërfillshme e krahasuar me vendet pararojë si Izraeli, i cili sot që flasim, ka vaksinuar mbi 11% të popullsisë. Këtë shifër Shqipëria me zor do ta arrinte edhe në fund të vitit, kur mendohet të ketë konsumuar të gjithë sasinë që pretendohet se ka kontraktuar me Pffizer.

Po ti shtosh këtij numri qesharak edhe infrastrukturën e pamundur për një vend si yni për të kryer transportin dhe shpërndarjen e flakonëve që duhen ruajtur në frigoriferë të posatshëm, në -70 gradë, korrupsionin dhe tregun e zi, dozat që do të dalin skarco si pasojë e kushteve të ruajtjes, fenomene këto që po vërehen kudo, buzëqeshja që premton qeveria e ka të pamundur të qëndrojë gjatë mbi fytyrë.

Një dush të ftohtë këtij entuziazmi i hedhin edhe organizma botërorë që janë shumë skeptikë për aksesin që do të kenë vendet e varfra ndaj vaksinës. Kështu, Oxfam, Amnisti International, etj që janë tubuar në Aleancën për një vaksinë universale, njoftonin në fund të vitit që u mbyll, se personat dhe vendet e varfra do të kenë zero mundësi të përfitojnë nga vaksina. Vendet e pasura që përbëjnë 14% të popullsisë së planetit kanë rezervuar deri më tani 53% të vaksinave më premtuese, theksonte ajo, duke ilustruar me shembullin e Kanadasë e cila ka porostitur pesfishin e vaksinave që i nevojitet për një banor.

Përpos faktit të diskriminimit të të varfërve, për arsye se vendet e mëdha që kanë financuar kërkimet do të shërbehen të parët, shpresat i bën edhe më të vogla pamundësia e prodhimit masiv. Kështu sipas revistës shkencore “Nature”, po të mblidhen të gjithë laboratorët që janë në fazën e tretë të testimit të vaksinës, ata mund të shpien në prodhim sasi të mjaftueshme vetëm për një të tretën e globit, deri në fund të 2021.
Pra, mundësitë për të ndjekur entuziazmin qeveritar që na fton të buzëqeshim, janë qesharake. Edi Rama do të sigurojë aq vaksina, sa për të bërë shoun e radhës, për të ushqyer edicionet informative të lajmeve me kronika propagandistike dhe për të dëshmuar se vendi i shqiponjave e çau bllokadën e vendeve të pasura në dëm të të varfërve.

Ai do të përpiqet ta shesë këtë sukses virtual si një arritje në fushatën elektorale, por zor se një kartë e tillë do ti ndezë. E para sepse mbi 95% e votuesve do të kuptojnë shpejt se nuk kanë akses tek ajo shiringë që i jep mundësinë e rikthimit në jetën normale dhe së dyti sepse teoritë konspirative për abuzime me vaksinën, në një vend ku gjithshka zgjidhet padrejtësisht, nuk do të mungojnë.

Por, nga ana tjetër edhe ata që do përpiqen ta sulmojnë kryeministrin se nuk arriti të sigurojë një sasi më të madhe për shpëtimin e qytetarëve do të luajnë në keqbesim. Një qeveri e një vendi si yni nuk bën dot as më shumë as më pak në këtë betejë të madhe globale, ku sa do lypës i talentauar të jetë Edi Rama, ai do të ketë sërish shumë pak ndikim mbi rjedhën e ngjarjeve. Prandaj denoncimet me goditje poshtë brezit, si ajo e lënies pas nga Serbia e Vuçiçit janë imorale dhe aspak frytëdhënëse. Askush nuk mund të përdorë si mjet krahasimi propogandën e një autokrati, në Beograd, për të njollosur të singjashmin e tij në Tiranë. Edhe fitoret e të parit edhe humbjet e të dytit janë krejt të papërfillshme në raport me vendet që ata drejtojnë.

Për këto arsye çështja e vaksinës pritet të ketë një impakt të papërfillshëm në zgjedhjet e 25 prillit. Edi Rama do të reket ta përdorë atë si armë. Kundërshtarët do tentojnë t’ia kthejnë me të njëjtën monedhë. Por kjo nuk do të jetë loja e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Ky vit për ta nuk do të jetë viti i buzëqeshjes dhe kthimit në një jetë normale si pasojë e vaksinës. Prandaj duhet të bëhemi gati që edhe për disa muaj, të dëgjojmë retorikën e politikanëve dhe të vazhdojmë të mbrojmë fytyrat me maska. /Lapsi.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...