Autoritetet shqiptare dhe Departamenti i Hetimit Antimafia italiane, kanë lëshuar 38 urdhër arreste në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë për trafik ndërkombëtar të drogës, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash.
Mes 38 të arrestuarve janë edhe zyrtarë të drejtësisë e policisë shqiptare. Po sipas të njëjtave burime është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota. Ky i fundit ka garuar për të qenë pjesë e SPAK, por është skualifikuar nga gara, pasi nuk plotësonte kriteret e nevojshme. Burimet bëjnë me dije se në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie.
Kush është Maksim Sota
Prokurori aktualisht është lënë në “arrest shtëpie”. Arsyeja pse Sotës i është caktuar kjo masë e lehtë sigure, është sepse ka një fëmijë të sëmurë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Karriera
Maksim Sota e ka nisur detyrën në krye të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2010, dhe ka qëndruar aty deri në vitin 2019, një periudhë me problematikë të theksuar për kriminalitetin. Sota ka qenë kandidat për tu bërë pjesëtar i SPAK, por nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij. Prokuroi Sota ende nuk e ka kaluar Vettingun.
Lista e të arrestuarve:
Maksim Sota, prokurori i Vlorës, i shkarkuar nga Vettingu, aktualisht është nën masën “arrest shtëpie”
Ilirjan Balla, shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit
Saimir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajës, është akuzuar më parë për plagosjen e tre personave
Festim Lelaj, i proceduar më parë për trafik narkotikësh, ish-nënkomisar i policisë së Fierit
I gjithë grupi i strukturuar kriminal është zbërthyer nga dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë dhënë informacione dhe kanë ndihmuar në goditjen e rrjetit të krimit.
Ish-nënkomisari i policisë hidhet nga kati i dytë i banesës, për t’iu arratisur policisë
Ish-nënkomisari i policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili është arrestuar nga SPAK në kuadër të operacionit ‘Shpirti’, ka tentuar që të arratiset. Kur SPAK ka shkuar që t’a arrestojë në banesën e tij, ai është hedhur nga kati i dytë i banesës, dhe ka pësuar frakturë në këmbë.
Lelaj është dërguar për në spitalin e Vlorës, dhe më pas është nisur drejt Traumës për mjekim më të specializuar. Më 2017 ai ka qenë i përfshirë në trafikun e 2.5 ton drogë nga Ankona në Durrës dhe madje atëhere Prokuroria kërkoi 17 vite burg për të. Dy persona të tjerë asokohe, Emiljano Cili dhe Artur Riza u dënuan me burg si bashkëpunëtorë të Lelajt.