Mëngjesin e sotëm Irani ndërmori hapin e parë ushtarak ndaj SHBA-së duke sulmuar një dy nga bazat amerikane në Irak. Irani sulmoi me raketa balistike, duke treguar fuqinë e saj. Kjo lëvizje ushtarake vjen si përgjigje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasim Soleimani.
Si u përshkallëzua konflikti mes Iranit dhe SHBA-së deri në këtë moment?
Në ditën e fundit të 2019, u sulmua ambasada amerikane në Irak. Sulmi u krye nga një grup militant irakian me përkrahjen e Iranit. Arkitekti i këtij sulmi ishte gjenerali Soleimani, një figurë kyçë në Gardën Revolucionare të Iranit, i dyti pas Liderit Suprem.
Pas sulmit ndaj ambasadës, presidenti Donald Trump, tha se prapa këtij sulmi qëndron Irani dhe se ky shtet do të paguajë një çmim të lartë.
Vetëm 72 orë më pas do të vinte kundërpërgjigja amerikane. Të premten e kaluar, më 3 janar, komandanti iranian i forcave Kuds, Qasem Soleimani, u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane, në kohën kur po udhëtonte me veturë pranë aeroportit të Bagdadit.
Irani reagoi ashpër ndaj këtij sulmi, duke u zotuar se do të hakmerret për vrasjen e ushtarakut të lartë.
Sot, në orët e para të mëngjesit, Irani sulmoi me raketa balistike dy baza në Irak ku ndodheshin ushtarë amerikanë dhe forcat e vendeve të tjera aleate.