Ky fundvit gjeti 20 familje, me një strehëz të re. Këto familje kanë marrë sot çelësat e shtëpive, si një premtim i mbajtur prej tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019. Lagjia e re e ngritur në Vaqarr, është pjesë e Programit të Rindërtimit, ku në bashkëpunim me fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, banesat e reja kanë formuar një tjetër lagje model.
(DJE dhe SOT)
Këtë lagje të re e vizitoi sot kryeministri Edi Rama, me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe kreun e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari. Familjet janë zhvendosur në banesa të reja me kushtet më të mira, por edhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Zona është transformuar sa i përket shërbimeve për qytetarët, me shkolla, kopshte dhe ujë 24 orë.
Themeluesi i fondacionit të bamirësisë “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, theksoi që në krye të fjalës së tij, se tërmeti i dy viteve më parë tronditi tokën, por nuk prishi aleancën shpirtërore të shqiptarëve dhe jo vetëm, për të ndihmuar në rast fatkeqësie.
“Tërmeti i nëntorit dy vite më parë, tronditi tokën. Ai tronditi dhe prishi mundin dhe djersën shumë vjeçare të shumë familjeve shqiptare. Por nuk tronditi dhe nuk prishi aleancën shpirtërore të shqiptarëve dhe jo vetëm, për të ndihmuar në rast fatkeqësie. Tërmeti i 26 nentorit 2019, ishte një ngjarje e cila na shkaktoi të gjithëve dhimbje, por ishte një ngjarje që shkaktoi dhe një gjë tjetër, atë të bashkimit të zemrave të qindra mijërave shqiptarëve anë e mbanë botës, të cilet u bashkuan dhe solidarizuan me ne.
Kujtoj se orët e para të mengjesit të asaj dite, na gjeti në Qendren e Solidaritetit, duke përgatitur dhe shpërndarë qindra ton ndihma në Thumanë, Durrës, Shijak dhe zona të tjera të prekura. Shikoja me kenaqësi, se mes vullnetarëve të shumtë në numer të fondacionit, ndodheshin artistë, sportistë, njerëz publik në Shqipëri që na ishin bashkuar për ti ardhur në ndihmë në terren njerëzve.
Të gjithe bashkë kemi kaluar shumë ditë e netë pa gjumë, mes një katastrofe dhe mes dhimbjeve të familjeve që kishin humbur gjithçka. Mirepritëm në qendren tonë qindra kamionë me ndihma nga vëllezërit e motrat tona nga të gjithe trevat dhe jo vetem, kompani si gjigandi botëror Amazon dhe shumë të tjerë, vendas dhe te huaj, te cilët dhuruan me zemër ndihma me një vlerë të madhe materiale. Patëm një shifër rekord donatorësh plot 30.432. Shifer rekord të mirash materiale të shperndara nga një fondacion i ri si i joni, ku vlera e ushqimeve, çadrave, batanijeve, krevateve, dyshekëve, rrobave shkon në rreth 1.56 milion $. Na u desh që në atë gjendje shoku, të fillonim menjëherë organizimin për të bërë disa detyra në të njëjtën kohë.
Thirrja dhe apeli në rrjetet sociale, në të gjithë trevat shqiptare, shpërndarja e parë e ndihmave të sapo mbledhura. Verifikimi i nevojave në terren. Ngritja e çadrave të emergjencës në stadiumin e Durresit dhe në Thumanë. Në ditet në vijim u angazhuam në Komitetin e Rindërtimit me fondin e mbledhur për 72 orë, ekzaktesisht 1 milionë e 780 mijë dollarë. Gjej rastin te falenderoj kryeministrin për reagimin e shpejtë dhe energjik, si dhe për krijimin e të gjithave kushteve ndihmëse dhe në logjistikë, që reagimi të ishte sa më efikas. Në rrugën tonë të re te fondacionit të sapo çelur të bamirësisë, por të maturuar tashmë pas disa viteve, sfida e re ishte lufta me pasojat. Rrugëtimi me trenin e “Fundjavës Ndryshe”, për mua dhe të gjithë ata që e ndertuan dhe udhëtuan me të, ka qene sa i dashur aq dhe i mundimshëm. Përpjekja jonë që ne e morëm si sfidë dhe kenaqësi, ku çdo javë, target i punës sonë ishte zgjidhja e hallit apo vuajtjes së dikujt, lehtësimi i brengës apo mundimit të dikujt tjetër”.
“Sot ndjehem krenar dhe i motivuar, që bamirësit e “Fundjavës Ndryshe” dhuruan 11 shtëpi për familjet që humbën shtepitë në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë dhe Vorë, dhurim të cilin ne e bëmë të gjithë bashkë vitin e parë pas tërmetit. Që ndertuam këtë kompleks modest me 20 shtepi këtu në Vaqarr. Që jemi në proces dhe për 13 shtëpi të tjera, të mobiluara plotësisht. Por ndjehem njekohësisht i keqardhur, në luftën e përhershme me kohën, që nuk arritëm të bëjmë më tepër”.
Kryebashkiaku Veliaj, vlerësoi punën e përbashkët me “Fundjavë Ndryshe”, duke demostruar një tjetër model, në një bashkëjetësë falë donatorëve. Në të gjithë këtë përpjekje të jashtëzakondshme, “Fundjavë Ndryshe” çoi deri në fund një tjetër mision e premtim të dhënë nga Arbër Hajdari, se familjet do të kenë të gjithë respektin dhe dinjitetin për të jetuar në një shtëpi dinjitoze. “Është një gëzim i jashtëzakondshëm dhe qëlloi që të ishte fundjavë, për “Fundjavë Ndryshe”, tha Veliaj në nisje të fjalës së tij.
Ai pohoi se sot ndihet ndryshimi. Duke cekur nostalgjinë e banorëve për të mos ndryshuar destinacion, Veliaj deklaroi se e vjetra është lënë pas, për një të ardhme më të mirë, me theks të veçantë në të ardhmen e sigurtë të fëmijëve. “Me dyert e hapura, janë hapur shumë dyer zemrash”, citoi më tej kryebashkiaku Veliaj. “Ku ka vullnet e përkushtim, mund të ndodhin gjera të mrekullueshme”, shtoi më tej ai. Pas nuk janë lënë edhe donatorët, të cilët kanë një peshë të madhe, në tërë këtë iniciativë. “Ky është një shans historik i donatorëve, për t’ia filluar jetën, që fëmijët të kenë një jetë më të mirë”.
Fjalën më tej e mori edhe kryeministri Rama, i cili foli për një tjetër shembull të transformimit. Për të, këto janë momente kurorëzimi, ku pandemia shtyu në kohë edhe projektet.
“Faza e dorëzimit të blloqeve të banimit ta fillojmë këtu në Vaqarr, në këtë bllok të vogël por shumë domethënës. Të ndërtuar me dashuri të madhe, me përkushtim dhe me cilësi maksimale. Në radhë të parë, dua të falenderoj nga zemra Arbrin, jo vëtëm për atë që bën, por edhe për bashkëpunimin, për gadishmërinë që ti bashkojmë forcat, në mënyrë të çonim në funksion një plan, ku përveç ndërtimit të shtëpive të realizohej ideja e një lagje të re, e cila nuk ka vetëm stehën, por ka pranë edhe shkollën, qendrën shëndetësore, duke krijuar një hapsirë kushtesh krejt të reja, për të gjithë ata që 26 nëntorin e dy viteve më parë mbeten pa çati mbi kokë.
Humbën gjithçka dhe sot, jo vetëm kthehen në shtëpi, por kthehesh në shtëpi shumë më të mira se ato që humbën. Kanë sot më shumë seç kishin kur i goditi ajo tragjedi e madhe, gjithë kjo përpjekje por ndryshoi jetën e 33 mijë familjeve. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapsirën, ku kanë humbur shtëpinë, por që nga ata të cilët kanë patur dëme të lehta, deri ata të cilët e humbën plotësisht shtëpinë, falë kësaj përpjekje të madhe janë sot në kushte shumë më mira se ç’kishin. Në pallatet që kishin janë bërë ndërhyrje, që jo vetëm kanë prekur muret, por edhe mjediset e përbashkëta. Në një pjesë të konsiderueshme, prekja e fasadave nuk ka qënë thjeshtë një riparim, por një riveshje të plotë duke i dhënë këtyre godinave eficencë ekonomike.
Nëse shohim sot listën e të gjithë atyre që kanë hyrë në shtëpi, janë me mijëra që banojnë në shtëpi të rindërtuara individuale. Dhe ndërkohë jemi në fazën që fillojmë me blloqet. Së shpejti do të hyjnë në shtëpi, jo vetëm ata të cilët janë në pritje në Ndroq apo Zall Herr apo pika të tjera në Tiranë, tek 5 Maji do jenë familjet e reja që do hyjnë.
Lagjia urbanistikisht më shembullore e Tiranës, pasi aty çdo gjë po ndërtohet nga e para, do t’i jap banorëve të jenë banorë të një hapsire urbane, që ndryshe nga ato që janë ndërtuar më parë, gjatë kohës të kenë një hapsirë kushtesh optimale. Por kështu edhe me Kombinatin që është bërë një punë e guxishme me të gjithë elementet e titujve të pronësisë. Në ditët e ardhshme do të hyjnë në shtëpitë e reja banorët e Bubqit, dhe ku në vend të një situate urbane të degraduar, të gjithë ata banorë do të kenë një hapsirë urbane shembull”.
Sa i takon akuzave për vjedhjen e fondeve, Rama tha se paratë e investuara dhe shtetet e huaja nuk kalojnë nëpërmjet qeverisë shqiptare, pasi janë ata të cilët i administrojnë.
“Ka filluar puna për lagjen e re në zonën e Spitallës e cila do të jetë një shembull. Një zonë periferike do të kthehet në një zonë të rëndësishme. Është mirë të kujtojmë që në këto dy vite, jeta e vendit nuk ka qenë e lehtë dhe nuk ka qenë e patrazuar nga ndërhyrja befasuese e pandemisë e cila na ka shtyrë në kohë disa projekte. I kishim të gjitha mundësitë që shtëpitë individuale ti mbaronim më parë.
Asnjë familje nuk është lënë vetëm. Procesi ka pasur vështirësi sa i përket pronësisë, për të garantuar që të gjithë ata që spostohen të marrin tituj pronësie të padiskutueshëm. Mund të gjendet plot gjëra për të kritikuar, por në këtë rast procesi ka qenë shembullor. Këto që deri tani janë ndërtuar, së bashku me shkollat, janë ndërtuar 100% me të ardhurat e buxhetit përfshirë edhe disa kontribute. Nuk ka këtu para të botës. Dua të theksoj për të gjithë për ata që thonë ku janë paratë. Të gjitha fondet e vëna në dispozion nga të tretët, nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptare, asnjë qindarkë. Paratë e botës, bota i shpenzon vetë, janë fonde që ata i administrojnë vetë, me projekte ku ne kemi fjalën e fundit me miratimin e projekte, me tendera që i bëjnë vetë dhe kontrata që i lidhin vetë dhe në fund dorëzojnë produktin. Duhet të ndjehemi mirë që kemi arritur të bëjmë diçka që askush nuk e imagjinonte gjatë asaj tragjedie. Sot 33 mijë familjet që u prekën nga tërmeti kanë asete që vlejnë më shumë nga çfarë kishin para tërmetit. Po bëjmë të mundur që ata që u goditën të ngrihen më të fortë. Janë vetëm 177 familje në çadër dhe marrin bonusin e qirasë dhe rrinë aty sepse nuk duan të largohen nga vendi i tyre, gjëja e gjallë. Besoj se kemi të gjitha arsyet që ta shohim me optimizëm të nesërmen dhe vitin e ardhshëm do të pastrojmë të gjitha gjurmët e tërmetit për familjet. Mbetet për t’u parë dhe do të mbyllen të gjitha duke pasur vetëm tre superblloqet e mëdha, 5 Majit, Kombinatit dhe Spitallës që do të kërkojnë kohë”, tha ai. /TIRANA TODAY