Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka sqaruar edhe një herë se nuk ka ende asnjë të prekur me koronavirus në Shqipëri.
Përmes një deklarate për mediat, Rakacolli bëri me dije se janë testuar 13 raste të dyshuara dhe përgjigjet kanë rezultuar negative.
“Janë testuar 13 raste të dyshuara te udhëtarë që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi i ri dhe rezulton deri në këto momente, se Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19”, tha ajo.
Më tej, Rakacolli deklaroi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur në dispozicion të spitaleve një fond shtesë për mjetet e mbrojtjes personale. Ajo i bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë nga simptomat e infeksionit të telefonojnë në numrin 127.
Zëvendësministrja sqaroi edhe rastin e një qytetari nga Skrapari që humbi jetën në Sanatorium.
“Pacienti ka humbur jetën si rezultat nga një pneumoni që është konstatuar se ka qenë i prekur edhe nga gripi stinor. Nuk ka pasur asnjë lidhje me Koronavirusin”, tha Rakacolli.
46-vjeçari nga fshati Therepel i Skraparit vuante edhe nga diabeti, zemra dhe tensioni.