Zyrtarisht do të nisë sot në orën 15:00 vaksinimi anti-Covid në vendin tonë. Në një konferencë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tregoi grupet që do të vaksinohen të parët.
Ministrja bëri të ditur se fillimisht do të vaksinohet stafi mjekësor, duke nisur fillimisht me stafin e spitaleve Covid, dhe më pas me personelin mjekësor në reanimacione e urgjenca.
“Ndër grupet që janë identifikuar prioritare janë të moshuarit dhe ato me probleme të shumta shëndetësore. Kemi planifikuar vaksinimin e kombinuar, duke vaksinuar personat në risk. Të parët do jenë edhe personat mbi 70 vjeç e me radhë”, sqaroi Manastirliu.
Aktualisht deri më tani Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza nga kompania Pfizer. Vaksina kundër Covid-19 është falas dhe jo e detyrueshme.