Rama është marrë edhe ditën e sotme me pandeminë në Shqipëri. Ai e ka nisur ditën me një falenderim të veçantë për bluzat e bardha. Kreu i qeverisë ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook, një video ku shihen mjekët që kryejnë testimet për Covid-19 në banesat e qytetarëve.
Statusi
MIRËMËNGJES
dhe me një falenderim të madh për sakrificën, përkushtimin, durimin e bluzave të bardha që kryejnë testimet e qytetarëve në nevojë në banesat e tyre, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë.
Një ditë më parë, Rama doli në konferencën për mediat, ku hodhi dritë mbi situatën aktuale dhe akuzat e opozitës. Duke folur online para gazetarëve, kryeministri foli edhe mbi një mbyllje të dytë, duke qenë se numri i viktimave dhe infektimeve nga Covid po vjen në rritje.
Sipas Ramës, një mbyllje tjetër do të sillte pasoja të padëshirueshme në ekonominë e familjeve shqiptare dhe në ekonominë e vendit. Ndër të tjera ai theksoi se duhet të shmanget mbingarkesa në spitale, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve që secili prej tyre të ndihmojë në zbatimin e rregullave anti-covid.