Prej javësh, mazhoranca ka hedhur akuza në drejtim të kryedemokratit Basha, në lidhje me rolin tij në hetimet ndaj UÇK-së. Nga ana tjetër, kreu i PD-së ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë pjesë në ndonjë hetim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por lëvizja e radhës vjen nga Taulant Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka dorëzuar në orët e para të ditës në Kuvend, kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Kjo ka të bëjë për hetimin dhe pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë.
Kërkesa në fjalë, për ngritjen e Komisionit të Posaçëm hetimor është firmosur nga 18 deputetë të mazhorancës. Ky Komision do të hetojë edhe rolin e politikanëve shqiptarë në raportin e Dick Marty.