Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë intervistës në ‘Ilva Now’ se i kishte dërguar një letër Ramës, dhe se nuk i kishte ardhur një përgjigje. Kurti i kishte dërguar një letër homologut të tij të Shqipërisë, kryeministrit Edi Rama, për mbajtjen e një takimi të përbashkët në kohën e pandemisë. Por kjo letër ishte pa një përgjigje.
Lideri i VV-së tha se për këtë takim, i ka shkruar vetëm z. Rama dhe asnjë zyrtari tjetër. Madje për një takim të mundshëm, kishte vënë në dijeni dhe Kryetaren e Kuvendit në Kosovë, Vjosa Osmani si dhe Presidentin Hashim Thaçi.
“Gjatë pandemisë, Ministritë e Shëndetësisë kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer përvoja dhe materiale. Diku nga mesi i muajit mars, i kam shkruar kryeministrit Rama dhe i kam thënë që duke qenë se nuk po mund ta bëjmë dot takimin e dy qeverive, i kam thënë që të mbajmë një takim Rama-Meta-Ruçi dhe unë, Osmani dhe Thaçi. Për të diskutuar për pandeminë, por nuk mora përgjigje asnjëherë për këtë gjë”, deklaroi Kurti.