Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Pallatin e Brigadave ambasadorët e huaj në Shqipëri, duke i falenderuar për ndihmën e dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Kreu i qeverisë riktheu në vëmendje orët e tragjedisë, kur trupat e kërkim-shpëtimit nga rajoni dhe Evropa punuan të gjithë bashkë me synimin e vetëm: për të nxjerrë nga rrënojat e Durrësit dhe Thumanës jetë njerëzish.
Nga të gjitha mesazhet e dërguara, Rama veçoi atë të Lejla Moses-Ones, të ngarkuarës me punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Për të cilin u shpreh se do t’ia lexonte të birit, Zahos, kur të rritet e ta pyesë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
Nuk kam ndërmend të publikoj mesazhet tuaja që vijnë. Mesazhin e Lejlës e kam nxjerr në një folder të veçantë dhe kur im bir 5 vjeç të rritet edhe pak dhe të bëjë pyetjen e parë për Shtetet e Bashkuara, unë do t’i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptar me Amerikën mike. Ashtu sikurse do të vijë dita që im bir do të inatoset me Bashkimin Evropian.
Vërtetë do të jetë shumë më e lehtë dhe hyrja në historinë e marrëdhënieve me fqinjët duke e nisur jo nga ngatërresat historike, por nga rrëfimi i nxjerrjes nga gërmadhat të një djali shqiptar nga trupat greke të kërkim-shpëtimit apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të trupave nga Kosova dhe Serbia për të nxjerrë nga rrënojat njerëzit e këtij vendit dhe kalorësit e shpëtimit italianë krahas atyre turq.
Po, për vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova me çfarë fjalësh mund të përshkruhen pa e zvogëluar furinë e rrahjeve të zemrës. As një milion fjalë nuk e përshkruajnë dot atë që ka mbetur në kujtesë.
Po skuadrën izraelite që aq shumë kurajë u dha qytetarëve të Durrësit. Këto dy javë janë në fakt një histori brenda historisë së vendit tonë, një histori e gjallë solidariteti faktik, që ne si fjalë e përdorim vijimësisht por që këto dy javë e pamë të mëshiruar në flamuj dhe gjuhë të ndryshme njësoj sikur të ishin këtu për të ardhur me porosi pas tërmetit psikologjik të tetorit për të mëshiruar at që thoshin etërit e krijimit të Evropës, të cilët thoshin se ka vetëm një horizont qëllimesh dhe idesh.
Mënyra se si trupat tona të shpëtimit punuan përkrah trupave franceze, italiane, greke, turke, rumune, kosovare po e po janë mëshirim i asaj që Adenaur dhe Moneja e skicuan në një imagjinatë. Nuk e harrova Zvicrën atë ditë, edhe pse atë ditë ishte e veçantë si vetë emri që ka. Rrënojat të kujtojnë gjithmonë luftërat por ndoshta operacione e kërkim shpëtimit janë ato beteja ku rrezikimi i jetës bëhet për të shpëtuar jetë të tjera.