Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi në një intervistë për emisionin “45 Minuta” të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv se me apo pa opozitën, Partia Socialiste do të futet në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ai tha se, as PD-ja nuk e di aktualisht se çfarë do të bëjë, pasi vendimi merret në Moskë.
“Puna që është nisur do vazhdojë. Nëse Moska vendos që t’i lërë të futen në zgjedhje, dhe rusët paguajnë për një kandidat të tyre, është i mirëpritur që të japë dhe ai vizionin si e ka Moska mendjen për Tiranën. Por nuk jam duke pritur që dikush në Rusi të marrë këto vendime, që unë të vazhdoj punën time në Tiranë. Kur Moska të jetë gati, të sjellë kandidatin.
Kjo është e vërteta që po ndodh përditë, për sa kohë që Mother Jones, për sa kohë që investigimet në Amerikë thonë që Binata Trade, një kompani ruse, i jep para PD, ose bën pagesa të PD, po e them meqë amerikanët thonë gjithmonë: Follow the money! Ndiq lekët! E nëse lekët vijnë nga Moska për të bërë gjithë këto punë dhe kryetari i opozitës refuzon të shkojë në prokurori për të shpjeguar se minimalisht për këtë duhet të shkonte që të dalë i pastër para popullit të vet.
Dhe që të mendohej që unë kam qenë 10 vjeç kur ndërroi sistemi, një parti që 30 vite është krenuar se ka qenë një parti anti-lindje, anti-komunizëm, pro-perëndimore, dhe sot financohet nga paraja ruse, me sa duket në Moskë do vendoset diku merr apo s’merr pjesë PD, me ça financimi do marrë pjesë. Kështu që për këtë arsye duhet me pyet Moskën, çfarë do ndodhë me PD-në në këto zgjedhje. Se gjersa lekët vijnë andej, kë do pyesim?”, tha Veliaj.
Përsa i përket marrëdhënieve me Edi Ramën, ai tha se janë shumë të mira, ndërsa ‘thumboi’ opozitën duke thënë se shpreson që të zihet kryetari i bashkisë me kryeministrin për të përfituar. Veliaj theksoi se është gati jo vetëm për mandatin e dytë në krye të bashkisë së Tiranës, por edhe për një të tretë nëse qytetarët do i besojnë drejtimin.