Të paktën 11 persona, përfshirë një fëmijë 3-vjeçar, u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në një sulm me armë në Saulsville, pranë Pretorias, në Afrikën e Jugut.
Sipas policisë, tre persona të armatosur hynë në një hostel që funksiononte si “shebeen” i paligjshëm dhe qëlluan pa dallim, ndaj një grupi që po konsumonte pije alkoolike.
Mes viktimave janë edhe një 12-vjeçar dhe një 16-vjeçare. Autorët ende nuk janë arrestuar dhe motivi mbetet i panjohur, raporton BBC.
Autoritetet theksojnë se lokalet e paligjshme të alkoolit janë shpesh vatra të masakrave të tilla, ndërsa vendi mbetet një nga më të rrezikshmit në botë, për nga shkalla e vrasjeve.
Në një operacion të madh, policia mbylli 12,000 lokale të tilla midis prillit dhe shtatorit të këtij viti dhe arrestoi më shumë se 18,000 persona në mbarë vendin.
Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë, me 45 persona për 100,000 banorë, sipas shifrave të vitit 2023–24 të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin.
Sipas të dhënave të policisë, rreth 63 persona u vranë çdo ditë midis prillit dhe shtatorit.















