Kështu nisi e me këtë model lideri, historia e pluralizmit politik në Shqipëri. Diku nëpër podiumet e mitingjeve të ethshme kundër diktaturës në ato fillime të postkomunizmit, ishte shfaqur edhe një personazh tjetër. Ishte Edi Rama, intelektual i kohës që mbante fjalime kundër komunistëve e propozonte nxjerrjen jashtë ligji të partisë së tyre, që kishte qenë partia-shtet e diktaturës.
Ndërkohë Ilir Meta ishte një student dhjetori, që sapo kishte vendosur t’i bashkohej historisë së re të PPSH-së, që muajt e parë të pluralizmit kishte marrë emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.
Në atë kohë askush se njihte Lulzim Bashën. Ishte veçse një 16-vjeçar, aktivist nëpër komisionet e Partisë Demokratike… Ishte koha kur po formohej elita.
Jeta e re politike në kushtet e pluralizmit, do të niste me krizë, për t’u pasuar me dhjetëra të tjera, mandat pas mandati e vit pas viti.
Pas shpalljes së pluralizmit politik në Shqipërinë e vitit 1990, vendi shkoi në zgjedhje tre muaj më pas dhe më 31 mars të vitit 1991, të parat zgjedhje pluraliste, PPSH fitoi shumicën.
Në krye të qeverisë u vendos Fatos Nano, i zgjedhur në atë post si i besuar i liderit të fundit komunist Ramiz Alia. Opozita e sapoformuar e kontestoi procesin dhe nisi protestat për rrëzimin e qeverisë “Nano”.
Në protestën e Shkodrës më 2 prill 1991, u vranë katër aktivistë të PD-së. Ngjarja e 2 prillit u pasua me bojkot të demokratëve nga Parlamenti dhe situata e acaruar diktoi marrëveshje politike mes PPSH-së dhe PD-së, e cila rrëzoi qeverinë “Nano” për të vijuar me vendosjen e krijimit të qeverisë së stabilitetit kombëtar, e cila funksionoi për 6 muaj deri në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992.
Kriza e zgjedhjeve të 26 majit
Partia Demokratike mori mazhorancën absolute dhe President i vendit u zgjodh Sali Berisha. Ai diktoi një qeverisje me element të dukshëm të autoritarizmit dhe pas katër vitesh qeverisje, PD shkoi në zgjedhjet e 26 majit pa e përfillur opozitën socialiste.
Partia Socialiste bojkotoi zgjedhjeve në mes të ditës, duke akuzuar mazhorancën për manipulim. Procesi u vlerësua i manipuluar. Ndërkohë kishin nisur të lulëzonin firmat piramidale dhe shpejt do të vinte falimenti i tyre. Shqipëria u gjend në një situatë dramatike në mars të vitit 1997. Protesta të dhunshme përfshinë gjithë Shqipërinë.
Kriza e 1997-ës, marrëveshja e 9 marsit
Në këtë situatë kaotike e surreale, më 9 mars 1997 Sali Berisha President thirri tryezën e partive politike, ku u nënshkrua Marrëveshja e Paktit Kombëtar. Takim në të cilin u shpall krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog dhe u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor 1997. PS dhe koalicioni i majtë i fituan zgjedhjet dhe nisën qeverisjen.
14 shtator 1998, vrasja e Hajdarit
Më 12 shtator 1998, para selisë së PD-së u vra deputeti demokrat Azem Hajdari. Dy ditë më pas më 14 shtator gjatë ceremonisë mortore, plasi revolta e demokratëve para selisë së Kryeministrisë, që u pasua me dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano.
Kriza politike u zhvendos brenda mazhorancës socialiste. Opozita vazhdonte presionet dhe në këtë situatë kaotike u formua qeveria e re socialiste nën drejtimin e kryeministrit të ri Pandeli Majko.
Pas zhvillimesh të vrullshme brenda PS-së, në zgjedhjet e vitit 2001, qeveria socialiste drejtohej nga Ilir Meta. Zgjedhjet i fitoi sërish PS, por procesi pati mangësi të theksuara të standardeve dhe u vlerësuan të krahasueshme për nga manipulimi, me ato të vitit 1996.
Vendi ishte në prag krize, ndërkohë po afrohej edhe koha për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Në këtë situatë, më ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dy liderët e partive kryesore Fatos Nano e Sali Berisha, që deri atëherë më shumë se sa kundërshtarë politik ishin shpallur armiq të njëri-tjetrit, u ulën në bisedime.
Marrëveshja Nano-Berisha
Në takimin Nano-Berisha të fillim prillit 2002, u arrit marrëveshja e cila vendosi zgjedhjen e Presidentit konsensual Alfred Mosiu. Opozita u kthye në Parlament. Tri vitet në vazhdim do të dominoheshin nga ndryshimet në qeveri, të diktuara nga lufta e grupeve kundërshtare në PS.
Dorëheqja e Ilir Metës dhe largimi bashkë me mbështetësit e tij në PS, krijuan krizë në qeverisjen e së majtës. Mbahet mend qeverisja e Nanos me katër zv/ministra, pasi Meta dhe opozita bashkuan votat dhe rrëzuan kandidatët e Nanos për katër ministri.
Kriza vazhdoi deri në Kongresin e dhjetorit, kur Fatos Nano spastroi partinë nga kundërshtarët dhe krijoi qeverinë e re, e cila do të vazhdonte deri në zgjedhjet e vitit 2005.
Ndërkohë, Ilir Meta dhe grupi i mbështetësve të tij në PS themeluan partinë e tyre, Lëvizja Socialiste për Integrim. Vendi shkoi në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, të cilat i fitoi Partia Demokratike me një diferencë të ngushtë votash. Sali Berisha ia doli të krijojë qeverinë. Fatos Nano në krye të PS-së si humbëse e zgjedhjeve dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë dhe në vend të tij u zgjodh brenda pak muajsh Edi Rama, i cili në atë kohë ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, në mandatin e tij të dytë.
Kriza e certifikatave
Në prag të zgjedhjeve lokale, Edi Rrama kërkoi shtyrjen e tyre, pasi pretendonte se certifikatat me të cilat votonin shqiptarët nuk jepnin garanci për zgjedhje të lira. Kriza politike po arrinte kulmin, ndërsa presidenti Alfred Moisiu kishte firmosur dekretin që zgjedhjet lokale të mbaheshin më 20 janar të 2007. Rama e refuzoi edhe këtë datë zgjedhjesh dhe kështu nisi ndërmjetësimi nga ndërkombëtarët.
Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve më 11 janar 2007, presidenti Moisiu thirri në takim krerët e partive politike të mazhorancës dhe opozitës dhe kërkoi prej tyre zgjidhje finale. Takimi i krerëve të politikës zgjati gati 24 orë, derisa më 12 janar u arrit kompromisi. Data e zgjedhjeve u vendos 18 shkurti. Kështu u zgjidh edhe kjo krizë për të mbërritur deri në fund të këtij mandati në pranverën e vitit 2009, në zgjedhjet parlamentare të radhës të 28 qershorit.
Në përballjen elektorale të vitit 2009, Berisha rikonfirmoi fitoren, por fitorja nuk i garantonte vazhdimësi në qeverisje. Pak ditë pas 28 qershorit, Berisha ftoi Metën në marrëveshje për bashkëqeverisje. Rama dhe socialistët i vlerësuan të manipuluara zgjedhjet dhe bojkotuan Parlamentin. Me sloganin “hap kutitë ose largohu” nisën protestat deri në ngujimin tek çadrat para Kryeministrit, ku deputetë e anëtarë forumesh bashkë me socialistë të thjeshtë hynë në grevë urie.
Kriza e kutive dhe “Darka e Krokodilit”
Më 20 maj 2010 kryeministri i kohës Sali Berisha dhe kreu socialist Edi Rama u ftuan në Strasburg për një darkë negociatash politike në restorant “Krokodil”. Darka u organizua me ftesë të Joseph Daul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian. Në atë darkë ishte i pranishëm edhe komisionieri i atëhershëm për Zgjerimin e BE-së, Shtefan Fyle dhe të tjerë diplomatë evropian. Ajo darkë nuk plotësoi kushtet e Ramës, por së paku pati një zgjidhje krize, pasi greva e urisë ishte ndërprerë. Gjatë katër viteve, Rama luftoi me të gjitha mënyrat për ta rrëzuar qeverinë Berisha-Meta, por nuk ia doli. Kulmi arrin në protestën e 21 janarit të vitit 2011, kur opozita e drejtuar nga Rama u bashkua në sheshin para Kryeministrisë, në një reagim të dhunshëm ndaj selisë së qeverisë, atje ku u vranë katër protestues. Protestat vazhduan. Por Meta e Berisha qeverisën për katër vite deri në 1 prill të vitit 2013, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Marrëveshja Rama-Meta e prillit 2013
Ilir Meta e Edi Rama lanë pas krahëve akuza të ashpra mes tyre në gjashtë vite dhe vendosen të bashkohen në koalicion parazgjedhor në prill të vitit 2013. Meta u largua nga qeverisja me Berishën dhe u rreshtua me Ramën në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Rama e Meta fituan thellë zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ndërsa PD kaloi në opozitë. Berisha dha dorëheqje si kryetar i PD-së dhe në krye të kësaj partie u zgjodh Lulzim Basha. Rama e Meta bashkëqeverisën përmes tronditjeve të herëpashershme nga akuzat për skandale korruptive.
Reforma në drejtësi, konflikti dhe zgjidhja
Viti 2016 do mbahet mend për konfliktin e madh mesa mazhorancës Rama-Meta dhe opozitës së Lulzim Bashës. Ishte koha kur duhej të votoheshin ndryshimet kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi. Qeveria akuzonte opozitën për pengesë të reformës nga rezultatet e së cilës frikësohej.
Ndërkohë që demokratët deklaronin se qëllimi i vetëm i Edi Ramës ishte kapja e sistemit të drejtësisë. Me ndërhyrjen e fortë, ultimatumeve dhe tone deri diku kërcënuese të Uashingtonit e Brukselit, u arrit që në orët e para të 22 Korrikut 2016, me votën unanime të 140 deputetëve të miratohej në Kuvend paketa e ndryshimeve në Kushtetutë.
Republika e re 18 maji 2017
“Lidhjet e krimit me politikën dhe blerja e votave nga mazhoranca përmes dorës së krimit”, ishin akuzat e opozitës ndaj qeverisë së majtë pranverën e vitit 2017. Kështu nisën protestat e opozitës derisa Basha u ngujua në çadër para kryeministrisë, poshtë dritares së Edi Ramës, atje ku dikur ky i fundit ishte ngujuar në grevë urie. Çadra u identifikua me shpalljen e “Republikës së re”
Marrëveshja e 18 majit
Beteja në shesh e Lulzim Bashës do të përfundonte më 18 maj në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, atje ku firmosi marrëveshjen me Edi Ramën për qeveri të përbashkët mazhorancë-opozitë deri në zgjedhjet e 25 qershorit. Ato zgjedhje përfunduan me fitoren e thellë të Ramës me 74 deputetë, gjë që i garantoi një qeverisje pa telashet e asnjë aleati. Rama e mori timonin e gjithë tepsinë dhe nisi të qeverisë për të kaluar përmes skandalesh edhe më të forta se të mandatit pararendës.
Kriza e mandateve të djegura
Ndër dhjetëra skandale korrupsioni të identifikuara nga opozita e mediat, spikat ai i përgjimit që shtynte të besohej se lidhej direkt me shit-blerje të votave. Në dosjet 184 dhe 339 identifikohen ministra e kryebashkiakë të Ramës, nëpër telefonata me element të dyshuar për lidhje me botën e krimit, duke përllogaritur vota të blera. Këtu nis e intensifikohet aksioni i opozitës së drejtuar nga Basha. Më 18 shkurt të këtij viti ai shpalli djegien e mandatave një akt i panjohur më parë në zhvillimet politike. Pak muaj më pas, krizës së mandatave të djegura iu shtua edhe ajo e bojkotit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Partia Socialiste shkoi e vetme në këto zgjedhje duke marrë drejtimin e 61 bashkive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi si të rregullt 30 qershorin dhe tani jemi në një situatë kur të gjitha pushtet i ka në dorë një njeri, është Edi Rama.
Pavarësisht si luajtën politikisht, kush është përfituesi e kush viktima, vendi ka hyrë në një krizë të thellë politike e institucionale ku niveli i demokracisë është në kuotat më të ulëta. Shqipëria hyn këtë vit në vitin e 30 të tranzicionit.
Elita e fillimit me rrënjët tek e shkuara, është ende vendimmarrëse me pak ndryshim. Ramiz Alia është larguar nga jeta por ka lënë pas elitën që vetë bekoi. Në krye të parlamentit është Gramoz Ruçi, ish-ministri i Brendshëm i qeverisë së Ramiz Alisë.
Fatos Nano është distancuar nga jeta politike por shfaqet herë pas here në momente krizash. Sali Berisha është ende i rëndësishëm në vendimmarrjen politike. Edi Rama është kryeministër dhe kryetar PS-së, asaj partisë që kërkonte ta nxirrte jashtë ligjit.
Ilir Meta është President i Republikës. Ndërkohë në krye të Partisë Demokratike është komisioneri i ri i atyre fillimeve, Lulzim Basha, i cili ndryshe nga të tjerë ka distancë nga e shkuara.
Duket sikur jemi ende në përpjekjet e para për të ndërtuar demokracinë, por me një ndryshim, sepse asokohe kishte shumë shpresë.
Nëse një 20-vjeçar në vitin 1990 do të parashikonte vendin pas 30 viteve, as në ëndrrën më të keqe nuk do ta kishte parë Shqipërinë e kohëve që po jetojmë. Një vend ku sundon varfëria e papunësia, ku sundon filozofia e të fortit si sfidë ndaj barazisë para ligjit, ku ka një elitë politike të kompromentuar, një Shqipëri prej nga qytetarët e saj duan të ikin./BalkanWeb