Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili akuzoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 në vend.
Në një deklaratë për shtyp, Vasili ironizoi konferencën e sotme për shtyp të kreut të qeverisë, duke thënë se ai nuk ka asnjë plan, dhe është i paaftë për t’u thënë shqiptarëve se kur do të vaksinohen.
Sipas tij, kryeministri është i paaftë për të siguruar vaksinën anti-covid. Lidhur me deklaratat e ashpra të Ramës ndaj Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, Vasili u shpreh se kryeministri po vepron si anti-shqiptar.
Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili:
Patjetër që sytë e shqiptarëve janë të drejtuar nga masat që merr qeveria për të mundësuar daljen sa më parë nga kjo situatë në të cilën ndodhemi.
Kryeministri Edi Rama sot u shfaq përpara qytetarëve për t’u dhënë lajmin e mirë në thonjëza që ai nuk ka asnjë plan, asnjë masë dhe që është tërësisht i paaftë t’u thotë atyre se kur shqiptarët fillojnë të vaksinohen, duke ditur që vaksina është instrumenti i vetëm që shkenca ka zbuluar, një instrument masiv për të mundësuar daljen nga pandemia.
Edi Rama në vend që tu thoshte shqiptarëve se kur fillon vaksinimi dhe ç’sasi vaksinash janë siguruar, u shfaq duke kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën dhe duke qarë u qarë hallin atyre. Në një pozicion nga më qesharakët ky Kryeministër, më ndjeni për shprehjen karagjoz, i bën vërtetje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës, dy realiteteve të jashtëzakonshme për fuqinë ekonomike për zhvillimin e tyre të pamatë, që janë shembull për gjithë globin.
Ky individ deklaroi gjithashtu në mënyrë të papërgjegjshme që vaksinë nuk ka, e vaksinë nuk del tha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si duket këto ishin konkluzionet që ky nxori kur shkoi të shihej sy më sy me prodhuesit e vaksinave, e ku në vend të vaksinave shqiptarët u pruri penelet e tij. Pra, taksat e shqiptarëve u shpenzuan që ky të bënte Pazar e të blinte penela në Nju Jork dhe të mos binte asnjë lajm, asnjë dozë të negociuar, asnjë kontratë paraprake, duke demonstruar një paaftësi dhe pazotësi për të drejtuar të paparë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë nga asnjë kryeministër tjetër.
Përfundimisht ky Kryeministër që e ka zakon të krahasohet gjithmonë me Gjermaninë, me Anglinë, Francën, që pretendon që ka sistemin shëndetësor njëlloj si ata, që ka Policinë më të mirë sesa ata, që është dhjetë herë më mirë sesa Gjermania në administrimin e gjërave, sot çfarë u tregon shqiptarëve? Paaftësi dhe pamundësi. U ofron kufizime të tjera shtesë lidhur me pandeminë. Pyetja e madhe që shtrohet përpara të gjithë shqiptarëve është kjo.
Festat e fund vitit për të gjithë bizneset kanë qenë një moment frymëmarrje, edhe në vite të zakonshme. Në një vit si pandemia pa diskutim ishte një moment akoma më i rëndësishëm se kurrë më parë. Këto biznese do të kufizohen në momentet e mëdha ku ata kanë mundësi të amortizojnë goditjet e tmerrshme që kanë marrë nga pandemia, ndërhyn me kufizime të reja.
Meqenëse ky Kryeministër i referohet gjithmonë Gjermanisë, e ka përzemër, dhe meqë Shqipërinë ky e konsideron se është më e zhvilluar se Gjermania, kjo e fundit ka marrë masat që 75 për qind të xhiros tua rimbursojë bizneseve të vogla, në mënyrë të veçantë të atyre me deri në 50 punonjës në varësi. Cila është masa që ka marrë Edi Rama? Ku është paketa e Edi Ramës? Paketa e tretë, të cilën e premtoi dhe mashtroi e tha që nuk e kam premtuar. Bizneset presin mbështetje kur është jetike për bizneset gjermane, italiane, franceze, amerikane etj, të cilët kanë një soliditet financiar dukshëm më të madh sesa shqiptarët, mendoni bizneset e vogla e të mesme shqiptare, që janë biznese mbijetese, se në çfarë vështirësie kritike ndodhen në këtë moment. Një vështirësi e pakapërcyeshme, që do të thotë me fjalë të thjeshta edhe asgjësim i plotë i tyre.
Ky është një fakt, është një realitet që ka të bëjë me mijëra njerëz që mbijetojnë në kuptimin më të qartë të fjalës me ato biznese të vogla që kanë. Dhe ky që krahasohet me Gjermaninë nuk ka qoftë edhe një lek të vetëm për ta, sepse gjithë paratë janë për oligarkët, koncesione me nga 1 miliard e ca Euro. Për oligarkët ka para, kurse ndihmën ekonomike për këto mijëra biznese të vogla nuk ka gjëkundi. Gjithmonë nuk ka asnjë lek të vetëm as për bizneset, as për shëndetësinë, asgjëkund. Sigurisht nuk ka as për vaksinën, sepse po të shkonte me financimin e duhur, edhe vaksinë gjente.
Sepse sot sikurse e dimë Serbia filloi të vaksinohet me çfarë? Me Pfizzer. Ndërkohë që ky i gënjeu shqiptarët dhe u tha që nuk del vaksinë nga Amerika, Serbia filloi vaksinimin me një vaksinë amerikane, Pfizzer. Ndërkohë që Maqedonia fqinje, dy ditë më parë, ministri i Shëndetësisë deklaroi: Dozat e vaksinës evropiane që janë Pfizzer dhe Moderna do arrijnë në Maqedoni nga Bullgaria, ndërkohë do t’i arrijnë doza edhe nga Polonia dhe Greqia. Kurse Kryeministri shqiptar tha: Nuk kam asnjë fjalë konkrete, por ne jemi lypsqarë të mirë, vendet evropiane zënë radhën si radha e qumështit. Pra ky kryeministër vulgar dhe i paaftë e lë Shqipërinë dhe shqiptarët në dorë dhe në mëshirë të fatit.
Po si gjeti të kthejë përgjigje ky kryeministër i paaftë dhe i pazotë? E gjeti mënyrën duke u marrë me Kosovën. E deklaroi që Kosova ka probleme me veten. Është e vërtetë. Kosova ka disa probleme të mëdha me veten. Kosova ka një problem shumë të madh, sepse Kosova bën zgjedhjet shembullore, të lira e të ndershme, të pakontestuara. Ndërsa ky i pacipë bën zgjedhje moniste me një parti, të papara në Evropë e në botë, të cilat refuzon me neveri Evropa edhe t’i vëzhgojë. Sigurisht Kosova ka edhe probleme të tjera. Se ka një Gjykatë Kushtetuese që merr vendime madhore të rëndësishme, që ‘vë pikat mbi I’, mbi ata që kanë të kaluar kriminale, të cilët s’mund të jenë kurrë pjesë e vendimmarrjeve të mëdha që kanë lidhje me të. Kurse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri bllokohet për tre vjet që të mos funksionojë sepse mbi 38 ligje të kthyera, edhe nga Presidenti i Republikës, që kanë lidhje vetëm me sferën ekonomike, kanë efekt me miliarda euro. Por duke mos pasur Gjykatë Kushtetuese nuk gjykohen dhe hajdutëria vazhdon e pa ndëshkuar.
Gjithashtu, ka probleme vërtetë Kosova, sepse ajo vendos për pandeminë minimumi 3 fishin e parave që vendos Edi Rama. Pra nuk kursen Kosova që të vendosë para për shëndetësinë, por edhe paketa ndihme të njëpasnjëshme për bizneset. Ndërkohë që Edi Rama e premton paketën e tretë dhe thotë nuk e kam thënë, si dhe nuk ka asnjë lek për biznesin e vogël dhe të mesëm, por i ka të gjitha për oligarkët.
Ka një problem të madh Kosova, që përfaqësuesit dhe udhëheqësit e saj, siç qe Presidentja në detyrë, bëri një gabim shumë të madh në Shqipëri, se hodhi një dritë mbi ahurin anti shqiptar ku është zhytur Edi Rama, si anti shqiptari i vetëm shembullor, i cili nxin kur takohet me udhëheqësit kosovarë, është gojë hidhur me ta, është i egër me ta, por ngazëllen, përqafohet kur takon Vuçiçin e të tjerë udhëheqës serb. Pra është vërtetë ky problem. Një Kosovë pro shqiptare, që i rreh zemra si të gjithë ne këtej dhe andej kufirit për shqiptarinë dhe një pro serb, i vetmi në 5 milionë, i cili i rreh zemra jo këtu, por në Beograd.
Dhe kjo gjuhë e qartë në Kosovë është një problem shumë i madh për Edi Ramën. Sigurisht që Presidentja në detyrë bëri një gabim shumë të madh, që foli për një tra, ndërkohë që Edi Rama ka edhe një tra tjetër në mendje, që të bëjë rrugën Milot-Balldren, e t’u vërë edhe një tra tjetër, që të ketë gjithmonë trarë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Të mos ketë ura komunikimi, të jenë enë komunikuese për njëra tjetrën, pjesë të një organizmi të madh që edhe nga ana ekonomike duhet të rrahi e të zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme. Por pro serbi nuk e do këtë, vë trarë, vë pengesa.
I interesojnë më shumë qoftë edhe ca euro të vetme, që le të hyjnë në xhepa oligarkësh, por vetëm e vetëm të mos ndihet Kosova. Sepse Kosova për të, siç tregoi sot me shumë sinqeritet Edi Rama, ishte kur tha që Kosova është një vend fqinj. Nuk e ka thënë asnjë udhëheqës shqiptar në këto 30 vite. Mund të kenë bërë gabime më të mëdha nga më të rëndët, por kurrë s’ka guxuar njeri të quajë Kosovën vend fqinj, ka qenë vend vëlla. Vendi më i dashur për të gjithë shqiptarët, na ka rrahur zemra që të shkonim atje. Vend fqinj, vetëm një armik i egër i Kosovës mund ta thotë këtë gjë. Vend fqinj janë të gjitha vendet e tjera me të cilat Kosova kufizohet, Kosova është vend vëlla.
Thënë e gjithë kjo, këto janë probleme shumë të mëdha që ka Kosova, që e do demokracinë, e do shtetin e së drejtës, e do Shqipërinë dhe i rreh zemra për të, ndërkohë që përballë kjo Kosovë e tillë është një pasqyrë ku shëmtia antiligj dhe antishtet e Edi Ramës spikat e shquhet qartë. Shqiptarët e kanë të qartë që kanë një kryeministër të paaftë, që i lë përfundimisht në mes të 4 rrugëve, që mendon për oligarkët dhe që është njëherazi armik i përbetuar i Kosovës. Kështu është, kështu do të jetë dhe asnjë shpresë për ndryshim te ky njeri nuk mund të ketë. E vetmja mundësi për shqiptarët, për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga anti shqiptari më i madh që i ka qeverisur është 25 prilli, dita e llogarisë së madhe që Edi Rama do të japi për gjithçka ka bërë e bën në dëm të çdo shqiptari në mënyrë individuale dhe në dëm të Shqipërisë në tërësi. Ju faleminderit të gjithëve!