Brexit: A është ende e mundur të arrihet një marrëveshje deri në 31 dhjetor?

Nga Magdalena Frennhoff Larsén “The Conversation”

Një afat tjetër në negociatat për një marrëveshje tregtare post-Brexit ka skaduar tashmë.

Ky afat ishte caktuar nga Parlamenti Evropian, që pretendoi se nëse anëtarët e tij nuk do të arrinin dot një marrëveshje deri më 20 dhjetor, ata s’do të kishin më kohë për ta shqyrtuar dhe ratifikuar atë para se të mbarojë periudha e tranzicionit Brexit më 31 dhjetor 2020.

Por pavarësisht nga ky afati i shkelur, negociatorët e BE-së dhe Britanisë së Madhe po diskutojnë ende me shpresën e arritjes së një marrëveshje deri në fund të këtij viti. Dhe raportet bëjnë me dije se janë në përparim konkret. Ndërsa pikat më të nxehta vazhdojnë të fusin në ngërç procesin, sidomos ato në lidhje me peshkimin, të dyja palët po afrohen më shumë në qëndrime.

Por edhe nëse arrihet një marrëveshje gjatë ditëve të ardhshme dhe ajo merr mbështetje nga 27 udhëheqësit e BE-së në Këshillin Evropian, a do të ketë kohë për t`a ratifikuar atë përpara se të përfundojë zyrtarisht tranzicioni? Nga pala britanike, deputetëve u është kërkuar të qëndrojnë në gatishmëri, pasi ata mund të rikthehen me urgjencë në parlament nëse ka një marrëveshje për t’u miratuar.

Padyshim që do të ketë shumë pak kohë për shqyrtim, dhe ligjet duhet të miratohet me shpejtësi. Por duke qenë se shumica e deputetëve preferojnë më shumë një marrëveshje tregtare, sesa skenarin e një Brexit pa marrëveshje, pakti ka të ngjarë të marrë miratimin para fundit të tranzicionit.

Vështirësia qëndron në anën tjetër të Kanalit. Ratifikimi i një marrëveshje tregtare në BE zgjat normalisht disa muaj, apo edhe vite. Së pari, çdo marrëveshje duhet t’i nënshtrohet një procesi të ashtuquajtur “pastrimi ligjor”, ku avokatët e BE-së e rishikojnë tekstin mbi të cilin është rënë dakord, për t’u siguruar që ai është në përputhje me Traktatet e BE-së.

Ndërsa ky proces zakonisht zgjat disa muaj, ai mund të shpejtohet në rast se është e nevojshme. Për shembull, “pastrimi ligjor” i marrëveshjes BE-Japoni u krye në vetëm disa javë. Arsyeja për përshpejtimin ishte angazhimi për t`a miratuar marrëveshjen para se Britania e Madhe të largohej nga BE.

Londra ishte një nga mbështetëset më të forta të marrëveshjes BE-Japoni,ndërsa kishte paqartësi në lidhje me efektin e Brexit mbi marrëveshjet tregtare të BE-së. Pastaj duhet të përcaktohet nëse marrëveshja përfundimtare, mbulon fusha të kompetencave ekskluzive -pra ato që janë nën përgjegjësinë vetëm të institucioneve të BE – ose nëse përfshin fushat e kompetencës së përbashkët midis institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare individuale.

Në rastin e kësaj të fundit, marrëveshja duhet ratifikuar jo vetëm nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, por edhe parlamentet e 27 vendeve anëtare. Edhe nëse marrëveshja BE-Britani e Madhe, paraqitet si një marrëveshje që kërkon vetëm ratifikimin nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, këtyre institucioneve u duhet pak kohë për t`a shqyrtuar atë me kujdes. Ndërsa ata mund të nisin t`a shqyrtojnë me kujdes tekstin në anglisht, ratifikimi nuk mund të bëhet derisa marrëveshja të përkthehet në 23 gjuhët e tjera zyrtare të BE-së.

Lexo edhe :   Britania e Madhe ofron 5 mijë paund nëse pranon të riinfektohesh me Covid-19

27 shtetet anëtare të Këshillit duhet t`a ratifikojnë marrëveshjen me shumicë të cilësuar ose unanimitet, në varësi të fushës së marrëveshjes. Sidoqoftë, në praktikë, vendet anëtare gjithmonë synojnë që të arrijnë konsensus. Anëtarët e Parlamentit Evropian, votojnë pro ose kundër marrëveshjes.

Që ajo të miratohet duhet të jetë pro një shumicë e thjeshtë e të gjitha vendeve anëtare. Koha mesatare për shqyrtimin parlamentar të marrëveshjeve tregtare të BE-së është 117 ditë. Është e qartë se asnjë nga këto afate normale nuk mund të aplikohet për negociatat Bruksel-Londër, duke pasur parasysh që ato filluan vetëm 10 muaj më parë.

Edhe afati i fundit i 20 dhjetorit, ishte i sforcuar. Parlamenti Evropian kishte bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme plenare që do të mbahej më 28 dhjetor, duke u kërkuar kështu eurodeputetëve t`a shqyrtojnë, debatojnë dhe miratojnë marrëveshjen në vetëm 1 javë.

Me kalimin e këtij afati, dhe me të dyja palët që kanë përjashtuar çdo zgjatje të periudhës së tranzicionit, tanimë është e qartë se nuk ka më kohë për miratimin e paktit nga ana e BE-së.

A do të thotë kjo se Britania do të dalë nga BE më 1 janar 2021pa asnjë marrëveshje?Jo domosdoshmërisht. Nëse arrihet një marrëveshje shumë shpejt, dhe vendet anëtare bien dakord për të, Këshilli mund të votojë për të zbatuar përkohësisht marrëveshjen nga 1 janari, ndërsa pret që Parlamenti Evropian t`a ratifikojë atë në fillim të vitit të ardhshëm.

Kjo do të ishte hera e parë që një marrëveshje tregtare e BE-së, do të hynte në fuqi pa miratimin parlamentar, qëkur Parlamentit Evropian iu dhanë kompetencat e ratifikimit me Traktatin e Lisbonës në vitin 2009.

Ndërsa eurodeputetët janë të zhgënjyer me përparimin e ngadaltë në negociata, por edhe të shqetësuar me legjitimitetin demokratik të një zbatimi të tillë të përkohshëm të paktit, ata ka shumë të ngjarë që në fund t`a ratifikojnë marrëveshjen.

Mbi të gjitha, kryenegociatori i BE-së, Mishel Barnie, ka qenë gjatë gjithë negociatave në komunikim të ngushtë me Grupin Koordinues të Britanisë në Parlamentit Evropian, dhe nuk duhet të ketë ndonjë surprizë të madhe në rastin e një marrëveshje përfundimtare.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/brexit-countdown-is-it-even-possible-to-ratify-a-deal-before-the-deadline-152489

Përshtatur nga TIRANA TODAY