Detaje të reja kanë dalë në dritë nga konflikti i shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku u raportua për një sherr fizik mes një qytetari dhe një polici të Rrugores.
autori i këtij sulmi të përgjakshëm është identifikuar si shtetasi Dorjan Kasa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave të paraburgimit.
Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, pranë një qendre tregtare, ku oficeri i policisë rrugore ishte pozicionuar mbi vizat e bardha dhe po orientonte kalimtarët e shumtë dhe këmbësorët për të kaluar rrugën e sigurt.
Në dëshminë e zbardhur që efektivi ka dhënë, ai ka përshkruar momentin kur është sulmuar nga pas:
“Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja fare. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart,” ka sqaruar efektivi.
Pas reagimit të policit dhe ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të tjera të rendit që ndodheshin në zonë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i shtetasit Dorjan Kasa. Atij iu sekuestrua edhe thika me të cilën sulmoi efektivin te vizat e bardha.
Megjithatë, edhe pas shoqërimit në komisariat, skena mbetet e rrethuar nga misteri. Gjatë marrjes në pyetje, Kasa ka zgjedhur të kyçë gojën përpara hetuesve, duke mos dhënë asnjë deklarim apo shpjegim mbi motivet dhe arsyen se pse tentoi të godiste me thikë në qafë oficerin e policisë.















