Elbasan/ Një person i armatosur terrorizon banorët dhe qëllon drejt policisë

Një person në Elbasan ka terrorizuar banorët duke qëlluar me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, policia ka shkuar në banesën e 45-vjeçarit, për të bërë një kontroll pas denoncimeve të banorëve se ai qëllonte me armë në ajër. Por, ky i fundit ka kundërshtuar duke qëlluar edhe në drejtim të uniformave blu.

”Më datë 24.12.2020, forcat e  Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan  kanë shkuar në fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese, me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J. K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë arritur në banesën e shtetasit J. K., ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë  duke u rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.’’, informon policia.

45-vjeçari i identifikuar si Josif Kavaja, dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.  Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të lënduar.

Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat speciale Renea.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.