Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka zbardhur bisedën që ajo ka zhvilluar me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Denaj thotë se ata kanë diskutuar mbi tejkalimin e situatës së emergjencës të krijuar nga pandemiaa e koronavirusit dhe se si rimëkëmbja ekonomike të jetë sa më e shpejtë.
“Komisioni Evropian e ka ndihmuar Shqipërinë prej kohësh, por gjatë këtij viti, ne shprehim një mirënjohje të madhe, pasi mbështeti Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve dhe më pas me ndihmën e konsiderueshme që i është dhënë në të gjitha aspektet, si në atë shëndetësor edhe atë financiar. Por mbi të gjitha me lajmin e pritur prej kohësh, atë të hapjes së negociatave”, tha ajo.
Ministrja Denaj deklaron se bashkë me delegacionin evropian synojnë që të realizojnë të gjitha detyrat e vendosura për qeverinë shqiptare e në veçanti ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
“Me 13 kapituj që kanë nisur rrugëtimin e tyre të negocimit prej disa muajsh, jemi duke intensifikuar këtë proces për të përafruar legjislacionin e Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.