E premte, 3 Dhjetor, 2021
10.5 C
Tirana

Shumë të tjerë s’ia kanë dalë, a do ketë sukses lëvizja politike e Rudina Hajdarit?

“Nuk jam kthyer në Shqipëri për një post por për vëllezërit e mi, për vajzën time, për të çuar amanetin e babait tim deri në fund. Prandaj, sheshi i demokracisë sot nuk është këtu, është te Ministria e Arsimit, dhe ne sot duhet të shkojmë sot t’i bashkohemi studentëve!”.

Ishte kjo deklarata e fortë e ish-deputetes së Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, më 8 dhjetor 2018, Ditën Kombëtare të Rinisë, nga sheshi i vogël i qytetit Studenti, ndërsa kishte pas shpine përmendoren e babait të saj, Azem Hajdarit, që 28 vite më parë vrau frikën dhe iu kundërvu regjimit më të egër komunist në Evropë, për të sjellë pluralizmin politik pas gjysmë shekulli totalitarizëm.

Në atë takim, sikurse tregoi më pas vetë Hajdari, nuk ishte parashikuar të mbahej asnjë fjalim tjetër veç atij të kreut të PD, Lulzim Basha. Por deputetja e re u irritua, dhe nuk pranoi të përdorej si fasadë në përkujtimoren e një ngjarje historike për Shqipërinë, ku babai i saj i ndjerë kishte dhënë kontributin kryesor.

Mesazhi ishte i qartë: demokraci ka vetëm aty ku ka njerëz me vullnet të lirë, që nuk kanë frikë të shprehin atë që mendojnë, sado e hidhur qoftë ajo për establishmentin politik. Dhe demokraci në ato ditë dhjetori, kishte realisht aty ku protestonin studentët, para Ministrisë së Arsimit, përpara Kryeministrisë, dhe jo në sheshin e Qytetit Studenti, që kishte hyrë në histori, por që ishte populluar në atë moment nga disa politikanë të djathtë, që kishin zhgënjyer shumë herë shpresat e rinisë, dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Ajo u shpreh e gatshme që të dorëzonte që në atë moment mandatin e deputetes, edhe pse nuk ishte pjesë e mazhorancës qeverisëse, duke e cilësuar qartazi partinë ku bënte pjesë deri pak ditë më pare, si pjesë të parisë së vjetër politike të këtij vendi, që nuk ka se çfarë t’u ofrojë më shqiptarëve.

I pyetur pak ditë më pas për këtë qëndrim, Berisha e shpjegoi qëndrimin e Hajdarit, me karakterin e fortë dhe shpesh anti-komformist që kishte pasur shpesh edhe i ati, Azemi. Mjerisht, protesta e studentëve që zgjoi aq shumë shpresa, u fik me afrimin e festave të fundvitit.

Por Rudina e kishte marrë tashmë një vendim, dhe nuk do të kthehej pas. Ajo vazhdoi që të thyente vendimin e grupit parlamentar për bojkotin e parlamentit, duke vazhduar të jetë e pranishme në seanca.

Dhe në betejën që PD e cilëson vendimtare për fatin e vendit, ndërsa kundërshtarët e cilësojnë kritike për vetë ekzistencën e saj, Rudina Hajdari, refuzoi djegien mandatit, duke u përjashtuar pak ditë më parë nga radhët e PD. Hajdari e ka theksuar shpeshherë, se për vendimin e saj është konsultuar me faktorin ndërkombëtar, kryesisht me diplomatë në Bruksel dhe Uashington.

Këta të fundit, duke mbështetur hapur marrjen e mandateve nga disa kandidatë të PD, LSI dhe partive aleate në zgjedhjet e vitit 2017, dhe që sot cilësohen “tradhtarë”, duket se po investohen në krijimin e një lëvizje të re politike në Shqipëri.

Kjo është provuar deri tani disa herë, dhe ka pasur një sukses të kufizuar, në kuptimin që nuk ka arritur të diktojë rrjedhën e zhvillimeve politike në Shqipëri. Pasi PD-së iu mohua marrja e pushtetit me dhunë gjatë sulmit ndaj institucioneve në 14 shtator 1998, Perëndimi u investua në mënjanimin e Berishës nga drejtimi i të djathtës.

Lexo edhe :   Haklaj plas ‘bombën’: Noka do tentojë të pushtojë selinë e PD më 12 dhjetor

Pasi humbi garën për kreun e PD në Kuvendin e PD së vitit 1999, Genc Pollo dhe disa deputetë të tjerë u shkëputën për të formuar Partinë Demokratike të Reformuar. Deri në zgjedhjet e vitit 2001, ajo ishte interlokutorja e preferuar në kancelaritë perëndimore, ndërsa Berisha ishte gjithnjë e më izoluar.

Por në zgjedhjet e vitit 2001, PDR fitoi vetëm 6 deputetë, dhe nuk mundi të ishte një forcë përcaktuesen ë jetën politike. Në prag të zgjedhjeve të 2005-ës, Pollo u fut në një koalicion parazgjedhor me PD-në, ndërsa 2 vite më vonë shpalli shkrirjen e partisë dhe rikthimin  e tij në PD.

Lexo edhe :   Paradokset politike të Berishës

Lëvizja “Mjaft” e drejtuar nga Erion Veliaj, ka pasur një mbështetje të ngjashme nga disa ambasada perëndimore. Ajo bëri një opozitë të fortë ndaj qeverisë socialiste në 2 vitet e fundit të qeverisjes së saj të parë, dhe në mandatin e parë të qeverisë së PD. Por pasi dështoi të përfaqësohej në parlament me Lëvizjen G99, Veliaj dhe disa të tjerë iu bashkuan PS.

Të njëjtin fat kanë pasur më vonë edhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, Sfida e Gjergj Bojaxhiut apo LIBRA e Ben Blushit. Që të gjitha forcat e reja kanë një disavantazh të madh në proceset zgjedhore. Për shkak të ligjit aktual, ato nuk mund të kenë komisionerë por vetëm vëzhgues në zgjedhje. Pra ata nuk kanë asnjë zë mbi standardin e votimeve dhe çdo ankesë e tyre mbi parregullsi apo manipulime, ka rënë rregullisht në vesh të shurdhër.

Në jo pak raste, krerët e partive të reja apo të vogla, nuk kanë gjetur në kuti as votën e tyre.

Është kjo arsyeja pse Rudina Hajdari, po kërkon gjithnjë e me ngulm ndryshimin e sistemit zgjedhor, teksa po sulmon gjithnjë e me shpesh LSI, që perceptohet gjerësisht si një forcë politike e majtë por tepër pragmatike, duke synuar të zgjerohet në kurriz të dy partive të mëdha.

Duket se Rudina Hajdari synon që lëvizjen e ardhshme politike ta formatojë si një forcë politike të qendrës së djathtë, ndaj dhe po sulmon ballazi LSI-në, që nga sondazhet rezulton se i ka “marrë” më shumë mbështetës PD-së 8 viteve të fundit.

Nëse ndërkombëtarët që sponsorizojnë Rudinën në këtë lëvizje, do të ushtrojnë presion tek mazhoranca për të miratuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, skenës politike mund t’i shtohet një forcë e re simpatike politike, që ndoshta me kalimin e kohës mund të ketë njëfarë peshe politike.

Ndërkohë, vështirë që ajo të ketë fuqinë e duhur për të çarë “digën” e fortë të establishmentit politik aktual. Kjo mund të ndodhë vetëm në rast se reforma në drejtësi pas disa vitesh, do të prodhojë rezultate të tilla, që do të vendosnin pas hekurave shumë nga politikanët e korruptuar të partive të mëdha. Diçka kjo shumë e bukur, për të qenë e vërtetë. Gjithsesi të presim e të shohim…/ Përgatiti TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bora dhe Semi do të “hakmerren” ndaj Donaldit në “Për’puthen Prime”

Puthjet e Donaldit me Beatrixin, kanë shkaktuar një bum komentesh në rrjet. Fansat janë ndarë në grupe, ndërsa ende nuk ka patur një reagim...

Sfida mes një intelektuali që kërkon të vërtetën dhe një politikani që gënjen

Nga: Andi Bushati Ka një aksiomë të mirënjohur që shpjegon përplasjen e një politikani me një intelektual në arenën publike: Sipas saj, i pari tenton...

S’donte të bënte vaksinën, italiani shkoi me krahun prej silikoni

Disa mund të akuzohen se po përpiqen t'i shmangen sistemit për të marrë një certifikatë vaksine, por mbase askush nuk është aq i shkathët...

S’ka më lavazhe e servise makinash poshtë pallateve!Veliaj tregon masat e reja

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një dëgjese të zhvilluar me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira...

Vrasja e ish-deputetit, Artan Hoxha nxjerr videon

Kristian Klemendit dhe Marjan Kolës, të dyshuar për vrasjen e Pashko Ujkës u është komunikuar arrestimi ditën e sotme. Edhe pse ata kanë mohuar...