Nga Chris Leadbeater “The Telegraph”
Marketingu mund të jetë një punë e ndërlikuar. Përtej çdo reklame, që mund të duket gati gjeniale, që ju impresionon nëpërmjet një truku të zgjuar të kamerës apo një slogani të qëlluar, ekziston një tjetër që del huq. Në fakt, në qoftë se e zgjeroni këtë metaforë në fushën e futbollit, një reklamë e keqe nuk mund ta humbasë aq shumë objektivin, më shumë se sa humbet të gjitha konceptet se për çfarë shërben.
Për disa arsye, destinacionet e udhëtimit dhe manualet turistike, shërbejnë veçanërisht për të rritur prirjen, që njerëzit të largohen nga e zakonshmja. Ndoshta këtu ndikon besimi, se festat që gjithashtu janë konvencionale, janë një marketing i lehtë, duke pasur të qartë konceptin, se të gjithë duan të kalojnë një javë pushim, diku në një vend të ngrohtë dhe interesant, për të shmangur stresin e përditshëm. Sa e vështirë mund të jetë për të joshur disa turistë?
Vendi i fundit që e ofron veten si “peng”, dhe që është bërë objekt i talljeve në rrjetet sociale, është Shqipëria, që kohët e fundit ka zbuluar sloganin e saj të fundit “Rrëmbehuni nga Shqipëria!”. “Rrëmbehuni”, ju si mendoni? Është e sigurtë që ata nuk i janë referuar pengmarrjes?
Ashtu siç ndodh dhe në filmin e vitit 2008, ku dy vajza të reja amerikane rrëmbehen në Paris, dhe shiten si skllave seksi nga gangsterë tejet të stereotipizuar shqiptarë, duke sjellë një zinxhir ngjarjesh dhe një valë dhune, që në fund shkakton vrasjen e secilit prej tyre?
Ashtu si me dy filmat në vazhdim, “Taken “2 dhe “Taken 3”, që gjithashtu shitën shumë bileta nëpër kinema, kjo nuk i bëri asnjë të mirë imazhit të Shqipërisë në skenën botërore. Ata nuk e kanë termin “rrëmbim” në këtë kuptim, apo jo? Kjo do të duket si një mënyrë e çuditshme, për të reklamuar vendin tuaj.
Por pastaj nëse shkoni në faqen e internetit, që është listuar si ‘takenbyalbania.com’, ju zbuloni se ka edhe më. Më shumë. Sa për fillim, në një pjesë të fjalës hyrëse theksohet se, po, ata janë duke folur për filmin “Taken”. Dhe ata do të konkurrojnë me të. “Në kulturën popullore, Shqipëria është përshkruar si një parajsë për banditët, kriminelët dhe gangsterët. Ndërsa e kuptojmë, se perceptimi mund të jetë i dobishëm për filma të mirë si “Taken”, kjo është diçka tërësisht e pavërtetë! Në realitet, Shqipëria është një vend i bukur dhe tepër i sigurt për t’u vizituar dhe jetuar”- thuhet në uebsajt.
Por, ata kanë absolutisht të drejtë, me pak rezerva për bukurinë dhe sigurinë. Por mund të kishte qenë më mire, që këto dy pika të ishin në thelbin e sloganit, sesa të përmendeshin gangsterët dhe … ka edhe më shumë se kaq.
“Kjo është arsyeja pse ne e kemi filluar këtë fushatë, për t’i bërë personalisht thirrje aktorit të famshëm të “Taken” , zotit Liam Nizën. Shihni këtë videon, dhe bashkohuni me ne duke nënshkruar peticionin, për të ftuar zotin Nizën në Shqipëri, në mënyrë që ai të rrëmbehet nga natyra e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme”.
A nuk i lexon ende ndokush gazetat? Zoti Nizën është një aktor i mirë. Ai është ylli i vërtetë i tre filmave “Taken”. Dhe ai ka realizuar disa filma të shkëlqyer, në një karrierë të spikatur. Në veçanti, interpretimi i tij në rolin e Oskar Shindlerit në filmin “Lista e Shindlerit” të vitit 1993, do të mbetet gjatë në historinë e kinematografisë botërore.
Por, Nizën ndodhet aktualisht në një prej momenteve më të vështira të karrierës së tij, pas një dëshmie publike të sikletshme dhe të papërshtatshme, kur ai dëshmoi se në një ditë kishte dalë rrugëve duke kërkuar ndonjë zezak të rastësishëm, që mund ta vriste në shenjë “hakmarrje” të paramenduar, për përdhunimin e mikeshës të tij.
Nëse jeni duke kërkuar një ikonë të ekranit, që të jetë protagonist i reklamës tuaj të re, dhe shpresoni ta distanconi veten, nga imazhi i një vendi banditësh, atëherë Liam nuk është në këtë moment të saktë njeriu i duhur. Ky hap i gabuar është një turp, pasi Shqipëria ka shumëçka për të ofruar.
Në fakt, një pjesë tjetër e fjalimit në uebsajt kap thelbin e mesazhit, kur argumenton se “në një Evropë që tashmë nuk i ka mbetur gjë për të eksploruar, Shqipëria është ndër bukuritë e fundit të pazbuluara”. “Është, një vend ku malet nuk kanë rrugë, lumenjtë rrjedhin në rrjedhën e tyre natyrore, dhe ku plazhet janë ende të virgjëra”.
Edhe pse ka një dozë të përhershme hiperbole në deklarata të tilla si,(malet kanë rrugë, dhe në rastin e Llogarasë ofrojnë një panoramë mbresëlënëse), ajo ka gjithashtu një bazë të së vertetës: Që Shqipëria, është një nga cepat e fundit “të fshehura” të Evropës, dhe që udhëtaret do të ishin të mirë-këshilluar që ta njihnin atë.
Unë shkruaj nga përvoja personale. Kam kaluar më shumë se 1 javë në këtë vend 2 vjet më parë, në mesin e vapës së qershorit, dhe zbulova një vend që nuk të bën ta vrasësh shumë mendjen për të deshifruar joshjen që ka, por po aq nuk kënaqesh me atë që është e dukshme. Kryeqyteti Tirana, po vazhdon t’i iki 5 dekadave të sundimit komunist, që përjetoi në shekullin XX-të, dhe po e bën këtë me stilin e bareve dhe restoranteve luksoze, në zonën e quajtur Blloku. Dhe ndërsa ka zona ku ndodhen shumë hotele (në Durrës), ka plazhe të shumtë, sidomos përreth qytetit të Vlorës, ku takohen detet Adriatikut dhe Jon, përgjatë Gadishullit të Karaburunit, dhe më tutje në drejtim të Sarandës.
Kodrat e kullotat e shumta në brendësi të vendit, janë të mbushura me reliket e Ilirisë së lashtë, veçanërisht në sitet arkeologjike të Apollonisë dhe Bylisit. Dhe Berati, është si një qytet i marrë nga një kartolinë, me arkitekturën e tij otomane, që është gati për të pozuar para kamerës mbi lumin Osum.
A është i gjithë ky peizazh dhe trashëgimi, e reklamuar dobët në fushatën e re promovuese? Ndoshta. Ngjarjet e fundit, na kanë treguar se publiciteti i keq përdoret shpesh. A do të tërheqë një numër më të madh njerëzish, sesa fotografitë e Buleuterionit të bukur në Apolloni? Mjerisht, po, por kjo nuk do të thotë se kjo fushatë është e mirë.
E megjithatë, Shqipëria nuk është destinacioni i parë që të shkakton habi, me qasjen e vet të çuditshme për të rritur profilin e vendit. Australia tmerroi disa vizitorë të mundshëm me sloganin e fushatës së saj turistike “Ej, ku dreqin je?”, në vitin 2006. Sllovenia shkaktoi më shumë konfuzion se sa interes turistik, me sloganin e saj në 2016 “Unë ndiej Slloveninë”, që funksionoi vetëm për ata të cilët, që prej gërmave të mëdha shquan mesazhin anësor “Unë ndiej dashuri”.
Pastaj është edhe Nebraska, shteti i vogël në zemër të SHBA-së, që hodhi hapin e pazakontë të talljes së reputacionit të vet për ngathtësi, në një fushatë promocionale tetorin e kaluar.
“Të famshëm për peizazhin tonë të sheshtë, dhe të mërzitshëm”- thuhet në një fjali, të vendosur në sfondin e një peisazhi panoramike shkëmbor, që me siguri nuk mund të përshkruhej. “Sinqerisht, ky vend nuk është për të gjithë”- shkruhej diku tjetër, duke nënkuptuar se Nebraska është për vizitorët mendje-hapur, që mund të arrijnë të kuptojnë sharmin e saj. Pra si të qëllosh me armë këmbën tënde.
Fushata promocionale e Shqipërisë, nuk është aq e zgjuar sa ajo e Nebraskës. Nëse ajo do të jetë e suksesshme në tërheqjen e turistëve në vend, kjo mbetet për t’u parë. Shqipëria meriton një mori vizitorësh, edhe nëse ekipi i saj i marketingut duhet të korrigjojë shumë gjëra në strategjinë e vet./ Përshtati TIRANA TODAY