Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi një raport për nivelin e lumturisë në shtete të ndryshme. Nga 156 vende, Shqipëria renditet e 107-ta duke qenë vendi më i palumtur në Evropë. Ndërkohë vendet e tjera ballkanike, kanë renditje më të lartë. Kosova është në vendin e 46-të, Mali i Zi në të 78-in, Maqedonia e 84-ta ndërsa Serbia e 70-ta.
Studiuesit kanë marrë për bazë gjashtë tregues për të arritur në një rezultat final. Ato janë Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, korrupsioni, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë.
Por, në një kohë kur situata politike në vend ndodhet në krizë, numri i vrasjeve, vetëvrasjeve, dhuna ndaj grave, papunësia; Tirana Today pyeti disa nga qytetarët se sa të lumtur ndjehen në Shqipëri.
“Të lumtur nuk jemi, por jemi të kënaqur. Marrim pensionin, sado i vogël por ja dalim. Mirëpo shqetësimi është për moshën e re, sepse sot ata janë pa punë dhe nesër pa pension.”
“Këtu gjithçka varet nga leku dhe miku, ndaj edhe sikur të kemi shkollën për të gjetur një vend pune të mirë, është e vështirë. Unë aktualisht nuk jam në punë sepse jam në shkollë. Por, nëse do të më jepej mundësia do të largohesha nga Shqipëria. Do të doja të jetoja në Gjermani ose Angli, sepse standardi i jetesës është më i mirë. Do më merrte malli vetëm për familjarët dhe shoqërinë e ngushtë. Por, për shqiptarët jo; merren me thashetheme dhe janë shumë kot.”
“Më pëlqen është relativisht mirë. Edhe pse nuk është si vendet e tjera, sërish jetohet. Nuk krahasohet me vende si Franca, nisur që nga njerëzit. Shqiptarët nuk janë të kuptueshëm, që me një vajzë e cila kalon në rrugë dhe të gjithë e shohin. Ndërsa në Francë dhe vende të tjera nuk është kështu. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë.”
“Nuk jam i lumtur, gjithë rinia është duke ikur nga ky vend. Për një shkollim dhe kushte më të mira, e pastaj për të pasur një punë. Asgjë nuk ka këtu, ka vetëm papunësi dhe varfëri të madhe. Ne jemi drejt greminës.”
Ndërkohë disa prej qytetarëve janë më optimist dhe shprehen se edhe pse nuk kanë standard të lartë jetese, përsëri janë të lumtur në Shqipëri.
“Paraja nuk është asgjë për njeriun, vetëm një copë bilete. Unë jam shumë i dobët ekonomikisht, por lumturinë nuk ma heq dot. Sepse diellin, dritën e oksigjenin nuk ma heq asnjë. Aq më pak të ma heq politika.”
“Është një listë e gjatë e gjërave që ne nuk kemi, por është vendi ynë. Ndaj duhet të punojmë ne që ta bëjmë të lumtur.”
“Ky nuk është raport, mos dëgjo se çfarë thotë OKB-ja. Ajo nuk është Perëndia dhe ne kemi aq horizont sa OKB-ja. Çdo njeri e ndjen veten e tij të lumtur në vendin e tij.”/ TIRANA TODAY