Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, ka reaguar në lidhje me paralajmërimet e mazhorancës për ndryshimin e ligjit për betimin tek presidenti.
Përmes një postimi në Facebook, Blushi thekson se Presidenca është i vetmi institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend. Sipas Blushit, presidenti Meta do të jetë i pranishëm në Parlament, bashkë me popullin shqiptar.
“Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës”, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Të dashur kolegë gazetarë! Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e Lana Kushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!