Aktualitet

“Pa Ramën nuk do vinte Alvini”,qytetarët të ndarë: Krimineli nuk ka asnjë meritë


               Publikuar në : 10:01 - 09/11/19 A F

Pas afro 5 vitesh Alvin Berisha më në fund ndodhet pranë babait të vetë. Para tre netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa në datën 8 nëntor u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit  u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.

Para arritjes së Alvinit në Itali, ishte ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili mbërriti në Libi. Me qëllim shpëtimin e vogëlushit 11-vjeçar. Sipas tij, forcat speciale të policisë shqiptare u vunë në kontakt me autoritetet libaneze, Kryqin e Kuq dhe Gjysmë Hënë e Kuqe; pas  komunikimit të kryeministrit Rama me homologun italian Conte.

Teksa disa figura publike kanë shprehur mirënjohje për qeverinë që sipas tyre bëri të mundur arritjen e Alvinit; shumë qytetarë i kanë kritikuar nëpër rrjete sociale. Duke thënë se qeveria shqiptare nuk ka asnjë meritë dhe ishte një operacion i ndërmarr nga Italia.

Por, çfarë mendojnë njerëzit? Pjesa më e madhe e tyre shprehen për Tirana Today se meritat i takojnë qeverisë.

“Po Rama e nxori, prandaj ka meritë. Se pa ndërhyrjen e qeverisë, ai nuk do të vinte kurrë. Ka shumë meritë qeveria shqiptare dhe nuk ka të bëjë fare me propagandën. Madje është drejtësi.”

“Pse e keni me qeverinë dhe kapeni me të?! Rëndësi ka që ai shpëtoi. Qeveria ka meritën e vetë, sepse ndikoi me konsujt që ka nëpër Europë edhe në botë.”

“Për Alvinin ka vajtur ministri i Brendshëm për ta marr. Dhe ai nuk ka shkuar aspak për të bërë propagandë. Sepse ka shkuar me policë dhe forca speciale. E morën, bravo i qoftë. Tani do të vijnë edhe fëmijët e tjerë.”

“Si nuk ka bërë gjë qeveria shqiptare. Nuk e di ça ka bërë, ama boll ka bërë. Ka bërë përpjekjet e veta, ne nuk jemi qeveri që ta dimë se çfarë. Mirëpo, ka bërë përpjekjet e veta, sepse ai ishte shqiptar. Italia nuk ka ndërhyrë fare.”

“E gjitha ishte meritë e qeverisë shqiptare. Nuk e bëri vetëm Italia. Madje e ka bërë Edi Rama, në bashkëpunim me kryeministrin e Italisë.”

“Në radhë të parë është interesimi i qeverisë shqiptare. Dhe i Edi Ramës direkt. Faktin që u morr Italia e para, ishte sepse djali ishte i regjistruar në Itali. Prandaj ne i kishim duart e lara.”

Por, ndryshe mendojnë disa qytetarë. Të cilët shprehen se qeveria e shfrytëzoi këtë si rast, vetëm për të bërë propagandë. Pasi nëse do i interesonte vërtetë, do të ishin marr masat më shpejt.

“Absolutisht që jo. Ku kemi qeveri ne që të shkojë e të shpëtojë qytetarët e vetë.”

“Nuk ka asnjë lloj merite. Pse kush do ta ketë, ai krimineli apo ai hajduti?!”

“Jo, qeveria jonë nuk ka asnjë lloj merite. Sepse gjithçka u bë e mundur nga ana e Italisë.”

Edhe pse të ndarë në mendime, qytetarët shprehen të lumtur që u arrit shpëtimi i Alvinit. Mirëpo, bëjnë thirrje qeverisë që të kujdeset edhe për dhjetëra fëmijët e tjerë që ndodhen në kampet e Sirisë./ TIRANA TODAY

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT