Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të vendosë taksë 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjë – Hercegovinës. Kosova, brenda një viti, të paktën zyrtarisht, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro. Por, tani kur është bërë një vit nga vendosja e taksës, Serbia ka humbur 99% të tregut të Kosovës. Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë – Hercegovina, 2 milionë euro.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Më 21 nëntor u bë një vit që kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Nga vendosja e taksës, produktet nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina kanë filluar të zëvendësohen me produkte të shteteve të tjera.
Në Doganën e Kosovës thonë se nga vendosja e tarifës 100%, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pak në drejtim të vendit tonë. Në Dogana shprehen se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Europian.
“Në këtë vit, deri sa po flasim, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kut nuk kanë qenë masat në fuqi, ne kemi diku 367 milionë euro më pak import nga Serbia për dhjetëmujorin e këtij viti, nëse kësaj i shtojmë edhe 62 milionë euro që ka qenë në fund të vitit [2018] tregon se jemi diku 430 milionë euro vlerë importi më pak.
Nëse e kthejmë në përqindje, kjo tregon se diku jemi 99% kemi pasur më pak import nga Serbia. E njëjta vlen edhe me Bosnjë – Hercegovinën, ku në baza vjetore ka qenë rreth 80 milionë euro që është importuar. Kjo do të thotë se për këta dhjetë muaj i kemi 65 milionë euro më pak importe, ose mund të themi se i kemi vetëm 2 milionë import, apo për dhjetë muaj i kemi pasur vetëm 3 milionë nga Bosnjë – Hercegovina”.
Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë – Hercegovina, 2 milionë euro. Eksporti i produkteve “Made in Kosova” gjatë kësaj periudhe në Serbi ka qenë 13 milionë euro, kurse në Bosnjë – Hercegovinë 5 milionë euro. Për çështjen e taksës, të vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar, ka folur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili e vendosi këtë taksë. Ai ka thënë se qeveria e re e Kosovës nuk duhet ta heqë atë.
“Shpresoj që qeveria potencialisht e ardhshme s’do ta heqë taksën, pasi kështu Kosova ripushtohet me mallrat e Serbisë, sepse ky është kusht i Vuçiqit. Ai po e bllokon e kërcënon Kosovën. Do të ishte e habitshme që qeveria e ardhshme ta heqë taksën. Këta tashmë e kanë më të lehtë të mbajnë taksën, sepse bashkësia ndërkombëtare më s’kërkon heqjen e taksës. Reciprociteti është mënyrë e mirë e bashkëpunimit të gjërave, por s’duhet të rezultojë në heqje të taksës. Ajo s’duhet hequr sepse Serbia s’ka ndryshuar. Si Kurti, ashtu edhe Osmani, nuk duhet ta bëjnë këtë gabim”, është shprehur Haradinaj për këtë çështje.
Haradinaj thotë se heqja e taksës është veprim tragjik. “Por, nuk besoj që do ta heqin. Taksa mbetet në rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme. Taksa mund të mbesë në kuadër të reciprocitetit. Nëse këta e paketojnë në mënyrë të caktuar, dhe nuk hyjnë mallrat serbe, ajo është taksë. Me taksën, ka filluar të zgjohet ekonomia e Kosovës”.
Krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse, duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së CEFTA-s për lirinë e qarkullimit të mallrave. Vendosjen e taksës, Beogradi e ka cilësuar si pengesë edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian. Për këtë arsye, që nga vendosja e kësaj mase, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur i ndërprerë.
Në anën tjetër, autoritetet në Prishtinë, përkatësisht Qeveria në largim e Kosovës, kishte deklaruar në vazhdimësi se taksa 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën. Humbjet nga efektet e kësaj takse i kanë numëruar edhe prodhues të Serbisë e Bosnjë – Hercegovinës. Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiq më herët ka thënë se humbja e tregut në Kosovë, ka shkaktuar dëme shumë të mëdha, sepse sipas tij, edhe nëse taksa hiqet, kthimi i bizneseve serbe në tregun e Kosovës nuk do të jetë i lehtë, sepse mallrat e njëjta, janë zëvendësuar tashmë me mallra nga shtetet tjera.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, del se importi i produkteve serbe ka rënë në mënyrë të dukshme. Ndërsa, vlera e eksporteve nga Kosova në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk ka pësuar shumë. Dogana thotë se importet nga Serbia për këtë periudhë për vitin 2018 ishin 177.8 milionë euro, kurse eksportet e Kosovës arritën në 16.8 milionë euro.
“Në periudhën janar-korrik 2018, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 177.81 milionë euro, kurse importet nga Bosnjë e Hercegovina ishin 39.8 milionë euro. Për sa u përket eksporteve të produkteve vendase në drejtim të Serbisë, për këtë kohë kanë arritur 16.8 milionë euro, ndërsa në drejtim të Bosnjë – Hercegovinë kjo vlerë ishte 4.6 milionë euro”, thuhet në raportin e Doganës për ndikimin e vendeve të CEFTA-s. Sipas Agjencisë së Statistikave, në muajin gusht të këtij viti, eksportet e Kosovës janë rritur 4.7%.
“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në të dhënat e ASK-së për tregtinë e jashtme. Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria në largim e Kosovës vendosi taksën prej 10% për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor, taksa u ashpërsua në 100% për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete./Monitor