Nga Pandi Laço
Mes dyzimit të shfaqjes së një opinioni dhe heshtjes, si autor këngësh e producent spektaklesh, edhe këtë herë zgjodha rrugën e parë. Vjet, një status lidhur me këngën, u keqkuptua e keqinterpretua edhe nga disa profesionistë të muzikës. Shpresoj që ky status të kuptohet drejt.
T’i kuptosh gjërat gabim nuk përbën ndonjë mëkat të madh. Përkundrazi ! Urrejtja, fodullëku, indiferenca, janë disa nga shtatë mëkatet kapitale. Kështu që unë po vendos ta cliroj veten nga mëkati i indiferencës, duke hedhur disa mendime. Të tjerët le ta çlirojnë nga mëkatet e tjera nëse i ndjejnë sadopak në ndërgjegje. Nuk i jap të drejtën vetes të gjykoj të tjerët, por jam I përgjegjshëm për këto që shkruaj.
Kur vjen Festivali, njerëzit dhe publiku presin mrekullinë. Presin festën e fundvitit që ka qenë mësuar ta konsumojnë bashkë me gjelin e Vitit te ri. Presin këngë që të këndohen të nesërmen e prezantimit në skenë. Por kjo s`do të ndodhë më kurrë..!
Me ritmin frenetik që ka jeta sot, askush të mos pretendojë që të dëgjojë një zë si atë të Vaçes apo Toninit, të shohë një buzëqeshje “ujë e sapun” si të Parashqevisë, apo fytyrë engjëllore si të Adriana Cekos. Ekzigjencat kanë ndryshuar. Normalisht edhe pritshmëritë nga figurat e ekranit, artistë, interpretues, moderatorë, janë krejt ndryshe.
Mediat, portalet, zërat që dëgjohen sot janë të amplifikuara në krahasim me dikur. Dikur , një spektator mund të diskutonte shijet e tij me shoqet e klasës apo me disa pjestarë të “kolektivit” të punës. Sot edhe njeriu më i painformuar e më profan, mund të bëjë një koment e të ketë publikun e tij.
Kështu , “Tam-tam”-i dhe gjylet ndaj Thomait e Verës, sot dëgjohen shumë më tepër. Ndërkohë, që një kohë , mjaftonte vetëm një gjyle te binte. Si në Festivalin e 11-të! Ajo të shuante me fis e me fare. Sot gjylet janë qindra, po efekti I tyre është më i shkurtër se ai I fishekzjarrëve të Natës së Vitit të ri.
Megjithatë, mundohemi te shkëputemi nga Festivali, se fundi i fundit aty 20 këngë këndohen.
A të vijmë te thelbi i çështjes? A te flasim pak për një të vërtetë të hidhur?
Kënga shqiptare po përjeton prej vitesh një krizë! Kur them kënga shqiptare, nënkuptoj kënga që ka një identitet. Dikush mund të më sjellë argumentin se gjithçka është globalizuar, kështu që edhe ne si të gjithë.
Në fakt nuk është kështu!
Kënga vërtet është 3 minuta, por përmbajtja e saj, është si një film, si një tregim, si një roman, si një vepër e artit figurativ. Pra duhet të thotë dicka. Nëse e pranojmë këtë gjë, unë me bindje mund te them se kënga është ne krize te thelle madje.
Vetëm xixëllonja te vogla artistike mund të shoh në këtë terr të këngës. Një Vlashent që don “Me jetu” e një Bojken që thotë “Malasin” e ndonjë tjetër, janë të papërfillshëm në një panoramë kaq të madhe të muzikës shqiptare.
Meqë shpesh i referohemi Festivalit të Sanremos, kënga e fundit fituese “Soldi”, ka një fill e një mesazh, po ashtu ajo e Ermal Metes e Fabrizio Moros, “Non mi avete fatto niente”, apo Francesco Gabbanit “Occidentali’s Karma”.
Për një lexues më të gjerë – qe s’i ka dëgjuar me atë vesh këto këngë, tema e braktisjes së familjes, njeriut të dhënë vetëm pas parasë, tema e terrorizmit dhe frikës prej tij, janë vetëm disa pjesëza nga tematika e oqeanit që mbulon muzikën.
Kënga është muzikë e vargje.
Sot kemi, pothuaj asnjë mesazh, e gjithçka pastaj ndjenja e perceptime krejt të sipërfaqshme.
Varfëri në ide, pak inovacion, pak eksperimente artistike, në muzikë e orkestracion jo e jo, po as në vargje . Për sa kohë që kënga do realizohet sic prodhohet një “Molto chipita”, me loop-a dhe beat-e, e do ketë varfëri idesh në përmbajtjen e teksteve, figuracione të varfra, shpesh vulgare e banale, fjali të stërpërsëritura, plot e përplot me zanore që t`ju tingëllojnë vokalizave dhe këngëtarëve, kjo histori do vazhdojë… Ama kështu kënga nuk bën dot histori.
Dëgjuesi i thjeshtë, ne përditshmërinë e halleve që ka, sot mund të ketë pak kërkesa ndaj vetes. I mjafton thjesht një melodi e një ritëm për tu argëtuar. Për këtë masë dëgjuesish, ka boll muzikë. Ata thonë kollaj ” zemrën ma me thy”, e po “plas”. Po dëgjuesi nuk është një. Turma është një!
Po me sa duket kënga jonë, po përjeton krizën e vetë shqiptarëve…
Normalisht ne periudha krizash, arti del mbi te, jo vetëm duke vene gishtat mbi plage, pse jo edhe duke reaguar.
Përveç krizës së përgjithshme, varfërisë ekonomike, PPP-te, kriza shpirtërore, njeriu që ka humbur orientimin, i dëshpëruar, me sa duket janë pasqyra ku kënga shihet çdo ditë në mëngjes, vërdalloset gjithë ditën në bar-e, bën llogje e llogje pafund, dhe bie të flejë në darkë pa shkruar asgjë në ditarin e saj.