230 milionë amerikanë me të drejtë vote, do të zgjedhin njeriun që do t’i drejtojë në 4 vitet e ardhshme. Për shkak të pandemisë, 95 milionë prej tyre, kanë votuar më herët përmes postës.
Presidenti Trump ka hedhur dyshime mbi manipulimin e këtyre votave. Ndaj priten shumë debate gjatë numërimit të tyre. Analistët vlerësojnë se gara do të diktohet nga rezultati në 10 shtete; Pensilvani, Uiskonsin, Miçigan, Florida, Ajoua, Ohajo, Xhorxhia, Arizona, Karolina e Veriut dhe Teksasi.
Përveç votimit për president, amerikanët do të zgjedhin 435 kongresmenë dhe 35 senatorë. Ndryshe nga vendet e tjera, presidenti në SHBA nuk zgjidhet direkt nga vota popullore, por nga Kolegji Zgjedhor, që përbëhet nga 538 zgjedhës, të cilët më pas zgjedhin presidentin.
Që të fitojë, një kandidat duhet të marrë shumicën e votave: 270. Fushata e këtij viti ka qenë e ashpër, por edhe shumë e kushtueshme.
Fushatat e Trump dhe Bajden kanë kushtuar 6.6 miliard dollarë, 2 miliardë dollarë më shumë se në 2016-ën.
Bashkë me fushatat për Kongresin, kostoja i kalon 14 miliard dollarë. Zakonisht fituesi shpallet brenda Natës së Zgjedhjeve.
Por këtë vit votat e shumta me postë, mund ta shtyjnë me disa ditë shpalljen e rezultatit. Pjesa dërrmuese e sondazheve, nxjerr si fitues kandidatin demokrat.
Por javët e fundit Trump e ka ngushtuar diferencën, dhe ka shanset e tij për një mandat të dytë.
TIRANA TODAY