E martë, 19 Janar, 2021
0 C
Tirana

I mbetur pa Trump-in, presidenti turk kthen kokën nga Bashkimi Evropian

Nga: Pierre Haski “Internazionale”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë një plan të mirë për vitin 2021: ai ka vendosur të jetë i dashur me të gjithë. Më 12 janar, mblodhi ambasadorët evropianë në Ankara dhe shprehu dëshirën e tij për të “rregulluar” marrëdhëniet me kontinentin.

“Shpresojmë që miqtë tanë evropianë të kenë të njëjtin qëllim”, theksoi ndër të tjera ai. Më 9 janar, me rastin e një takimi me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen, Erdogan deklaroi se “e ardhmja e Turqisë është në Evropë”.

Dhe në fakt është i njëjti Erdogan që disa javë më parë e këshilloi presidentin francez Emanuel Makron të konsultohej me një psikiatër, teksa përçmoi kritikat evropiane ndaj sjelljes së Turqisë në Mesdheun Lindor.

Por pse ky ndryshim i beftë i kursit nga një njeri, që për nga temperamenti është shumë pak i prirur për kompromise? Cila llogaritje e bëri atë të dëshironte të rilidhej me evropianët, pasi e kishte ndërtuar strategjinë e tij për ngritjen e një fuqie autonome turke, e cila është parë në veprim (me një lloj suksesi të moderuar) nga Libia në Karabak, duke kaluar përmes Sirisë Veriore?

Vështirësia në manovrim

Përgjigja lidhet padyshim me 2 faktorë: ekonominë dhe Xho Bajden. Presidenti turk është një politikan që bën shumë llogari. Në aventurat e tij ushtarake, ai ka ruajur rolin e “snajperit”, pavarësisht se ishte pjesë e NATO-s, aleancës së udhëhequr nga amerikanët.

Erdogan e ka thelluar sfidën e tij, derisa arriti të blejë një sistem anti-raketor rus, akt që u pasua nga një seri përplasjesh me Uashingtonin. Por njëherazi, ai dinte sesi të fliste me Donald Trumpin, dhe ishte në gjendje të përfitonte nga marrëdhënia e tij me presidentin amerikan.

Me ardhjen e Xho Bajden në Shtëpinë e Bardhë, ekziston rreziku që kjo manovër të jetë më e vështirë. Ekspertët e çështjeve turke, mendojnë se Turqia afrohet sërish me Evropën sa herë që ndërlikohen marrëdhëniet e saj me Uashingtonin.

Lexo edhe :   Fushata në Kosovë, Haradinaj premton bashkimin me Shqipërinë

Mesa duket Erdogan është i bindur se është më mirë të zvogëlohet paksa niveli i armiqësisë me Bashkimin Evropian. Kjo edhe për shkak se muajin e kaluar, 27 vendet e unionit vendosën për herë të parë disa sanksione kundër Ankarasë.

Erdogan nuk është tipi i udhëheqësit që përkulet para kërcënimeve, por është e qartë se ai do të preferonte të shmangte të tjerat që mund të pasojnë. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian, janë historia e një dashurie zhgënjyese, që kur Evropa ia mbylli në fakt Ankarasë dyert e anëtarësimit në union.

Që atëherë, Ankaraja ka ndjekur një politikë të bazuar tek islamizmi nacional-revanshist, pak i vlerësuar nga evropianët. Por në rrezik janë edhe shumë interesa të tjera. Dhe ky është motivi tjetër i Erdoganit pas ndryshimit të kursit ndaj Evropës.

Lexo edhe :   Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Rama në sulmin ndaj BE-së

Ekonomia turke është në vështirësi. Monedha turke, lira, është në prag të kolapsit, investimet e huaja po bien dhe Ministri turk i Financave, ndër të tjera dhëndri i presidentit, u detyrua të jepte dorëheqjen në nëntorin e vitit të shkuar.

Evropa mbetet partneri më i madh tregtar i Turqisë, dhe thith 41 për qind të eksporteve të saj, pra është një partneritet tregtar jetik. Por si duhet të reagojmë ndaj kësaj hapjeje të re të Erdoganit? Sigurisht që Evropa nuk do të kënaqet me fjalët e bukura, për të krijuar një marrëdhënie më të qetë me Ankaranë.

Testi i parë do të jenë negociatat midis Turqisë dhe Greqisë mbi rezervat e hidrokarbureve në Detin Egje, një çështje jashtëzakonisht delikate. Por do të nevojiten më shumë teste të tjera, për të verifikuar nëse kthesa e Erdoganit në fillim të këtij viti do të jetë e qëndrueshme, apo nëse kjo miqësi e papritur është vetëm një skemë strategjike.

Burimi i lajmit: https://www.internazionale.it/opinione/pierre-haski/2021/01/13/erdogan-unione-europea

Përshtatur nga TIRANA TODAY

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Video/ Gol i “çmendur” në Angli, portieri shënon nga porta në portë

Portieri i Njuport, Tom King, në Ligën e Dytë angleze, ka shënuar një gol të çmendur ditën e sotme, që po bën xhiron e...

Vr*sja e Santos, dëshmitari: Ekzekutori më drejtoi armën, polici u fsheh

Në grahmat e fundit, bankieri përpiqet me sa mundet ti largohet rrezes së armës siç duket nga kamerat e sigurisë. Por, vrasësi dukej një...

Polemikat për WhatsApp dhe frika për privatësinë e të dhënave

Shumë përdorues e braktisën WhatsApp-in, pasi ai e ndryshoi politikën e tij të privatësisë. Shqetësimet se të dhënat e tyre mund të përfundojnë në...

Zhdukja e biznesmenit italian, gazetarja tregon bisedën me partneren shqiptare

Gazetarja Klodiana Lala ka rrëfyer se vetë ajo ka folur me partneren e biznesmenit të zhdukur italian, Davide Pecorelli. E ftuar në “Open”, Lala u...

Sondazhi/ Opozita fiton Tiranën më 25 Prill, PD rritje krahasuar me 2017-ën

Opozita e Bashkuar del fituese në zgjedhjet e 25 Prillit sa i përket qarkut të Tiranës. Ky është rezultati i sondazhit të parë  të “Notto...