Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë fluturimin nga Austria dhe ka zbritur në Rinas. Lajmin e ka përcjellë vetë ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Thaçi paralajmëron edhe një deklaratë për mediat, të dielën në mbrëmje. Ky komunikim vjen pas aktakuzave ndaj tij dhe Veselit.
Statusi
“Motra dhe vëllezër,
Miq të dashur,
Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime.
Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara.
Gjithmonë i juaji, deri në fund,
Hashimi ?? ??
Deri më tani ai ka reaguar vetëm duke vënë foto cover-in e faqes së tij në Facebook, logon e UÇK-së.
Kundrejt presidentit Thaçi, kreut të PDK-së Kadri Veseli dhe disa emrave të tjerë që nuk janë bërë të ditur, janë ngritur akuza se janë përgjegjës për 100 vrasje dhe krime ndaj njerëzimit.
Për shkak të aktakuzave, dështoi edhe takimi i 27 qershorit në Washington, ku do të kishte një takim mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë.