Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur rreth rezultatit të dobët që partia e tij mori në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë.
I ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Haradinaj tha se nuk është nga ata politikanë që e harxhon kohën në media. Ai tha se ka humbur shumë votues kur është shprehur kundër shkuarjes se kosovarëve në luftë në Siri.
“Unë nuk jam ai politikani që e harxhon kohën në media dhe pasurinë e hedh në biznese se kështu do i kisha fituar 30%. Unë jam ai politikan që në 2005 kam qenë në burg. 4 vite i kam bërë burg dhe i kam bërë për qëndrimet e mia.
Kam thënë gjithmonë ndaj çdokujt se çështja e Kosovës do përfundojë me pavarësi. Nuk jam politikani ekstremist. Kam qenë kundër shkuarjes në luftë në Siri të Kosovarëve. Aty kam humbur vota se u keqkuptova nga besimtarët e devotshëm. Sot unë i kam kthyer të gjithë ato gra e fëmijë nga Siria. Kanë vdekur 150 kosovarë atje dhe askush nuk mban përgjegjësi”, tha ai.