Kreu i Partisë Republikane dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka pranuar se pas shpërthimit të Gërdecit ka marrë një telefonatë nga djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Është folur shpesh se Shkëlzen Berisha ka qenë i përfshirë tek demontimi i armëve, dhe nga hetimet e Prokurorisë thuhej se ka patur një telefonatë mes tij dhe Fatmir Mediut pas shpërthimit. Fatmir Mediu e ka pranuar publikisht, se ka patur një bisedë me të. Teksa ka qenë i ftuar në ‘Top Talk’, ai ka folur për tragjedinë e Gërdecit, një proces tashmë që është i rihapur, ku po hetohet dhe roli i ish-ministrit në këtë ngjarje.
Mediu pohoi faktin se ai ditën e tragjedisë ka pasur një telefonatë me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai deklaroi se si ministër i Mbrojtjes, vetëm kishte zbatuar vendimin e qeverisë së asaj kohe, të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Unë kam mbajt një qëndrim në raport me këtë çështje, dhe kam dhënë dorëheqjen si pjesë e përgjegjësisë sime morale dhe politike, edhe pse kundër disa këshillimeve nga partnerë tanë shumë të rëndësishëm. Sepse në pozicionin tim politik dhe personal, e gjykoja që nuk ishte e udhës dhe nuk duhej të qëndroja më ministër për sa kohë kishte viktima. Në mënyrë të padiskutueshme, që unë nuk kam ditur ku është Gërdeci. Gërdeci është një proces ku janë marrë për demontim që në 2003 të pajisjeve të FA”, tha Mediu.
Intervista
Po thoni se nuk e keni ditur se ku ndodhej gjeografikisht?
Fatmir Mediu: As gjeografikisht dhe as si aktivitet, nuk ishte pjesë e certifikimit të ministrit
Po pse nuk duhet ta dijë ministri këtë?
Fatmir Mediu: Po sepse nuk mund ta dijë, sepse FA kanë më mijëra pika dhe reparte ushtarake, nuk është detyrë funksionale e ministrit.
Pse u zgjodh Gërdeci?
Fatmir Mediu: Sipas një këshillimi me numrin e parë të shtabit, është që duhet zgjedhur marrëveshje ndërmjet palëve dhe Gërdeci ka qenë një pronë e FA, repart i tyre i tankeve, ku ka pasur depo municionesh.
Nga buroi kjo nismë që u krijua kjo fabrikë, a kishte lidhje familja e Berishës, djali i tij ?
Fatmir Mediu: Unë jam hetuar, gjurmuar, vënë telefonin në përgjim dhe të gjitha, 360 gradë për këtë gjë, dhe është provuar që as unë, as familjarë të mi dhe as stafi civil i ministrisë së Mbrojtjes në raport më këtë çështje nuk ka lidhje. Unë nuk mund t’i përgjigjem çdo lloj thashethemi.
Në ditën e ngjarjes unë kam pasur shumë njerëz që më kanë marrë vetëm për çështje solidariteti me ngjarjen. Kanë qenë edhe autoritetet që kanë folur me atë që bente demontimin e armëve. Ka pasur qindra telefonata me Delijorgjin për shkak se ishte edhe nën/kontrakor i kompanisë, ndërsa kundrejt meje asnjë. Sipas tabulateve, unë kam bërë telefonatë me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, por kjo është absurde, sepse po e bëj dhe një herë krahasimin: Ata që kanë folur me Delijorgjin, kanë pas proces me Delijorgjin?! Në punën time si ministër, unë i përgjigjem vetëm kushtetutës, ligjit, urdhrave dhe vendimeve të qeverisë, në marrëdhëniet e mia personale, unë nuk jam njeri që nuk hap telefonin dhe nuk flas me njerëz.
A ndiheni vërtet i pafajshëm në këtë proces. Aty ka pasur fëmijë që janë marrë me demontimin dhe kanë humbur jetën?
Fatmir Mediu: Tani t’i ndajmë përgjegjësitë, po të jetë ajo ligjore, me bindje të plotë them se nuk kam pasur asnjë përgjgjësi ligjore.
E dyta, për sa i përket asaj që ka ndodhur në Gërdec, unë nuk kam pasur asnjë shqetësim të sjellë te zyra e ministrit, nga asnjë përfaqësues ushtarak ose civil për marrëdhënie të cilat ishin jashtë kontekstit ligjor.
Nuk më ka ardhur ndonjëherë ndonjë raport se si dhe kush punonte aty.