Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi sot lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Vendimi është marrë me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA-së, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Sokol Çomon, Albana Shtyllën dhe Mimoza Tasin, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Kapedanit.
Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren Enkeleda Kapedani më 18 maj 2022 për probleme në kriterin e pasurisë dhe u konstatua se me veprimet e saj kishte cenuar besimin e publikut tek drejtësia.
Më 17 janar 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi Kapedanin nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, pas publikimit në TikTok të disa videove.
Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit, ku në vijim ushtroi edhe funksionin e nënkryetares.