Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë, ka deklaruar nga shkolla e re “Kosova” në njësinë nr.2, se në këtë fushatë zgjedhore krijohet mundësia për të shpalosur cilësitë dhe për të treguar dallimin me partitë e tjera politike.
Veliaj shprehet se opozita jo parlamentare po tenton të pengojë zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pasi sipas tij ka frikë nga gara, teksa shton se ata nuk kanë asnjë shans për të fituar në Tiranën.
“Ne në dallim nga partia prej së cilës ata u shkëputën, ne nuk i gjuajmë me vezë, as me gurë, as me molotov, as me bojë në ditën e verës me fëmijë rrethuar, kundërshtarëve tanë. Së pari, sepse nuk i konsiderojmë armiq, ne i konsiderojmë njerëz që kanë një bindje tjetër dhe ofrojnë një alternativë tjetër. Unë besoj që bashkë me Arbenin, ai numri 1 në fletën e votimit dhe unë numri 2, do kemi një fushatë civile, do kemi mundësinë tí themi njerëzve si i shohim ne këto punë dhe në fakt do të kemi një mundësi të tregojmë se ku dallojmë ne që garojmë në mënyrë qytetare nga ata që u larguan nga gara, jo për arsye të tjera, por sepse nuk kishin shans të fitonin kurrë në Tiranën që qeveriset nga socialistët dhe transformohet çdo ditë. Asnjë shans”, deklaroi Veliaj.