Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është një nga personat, emri i të cilit është përmendur në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” për dosjen “339”.
I ftuar ditën e sotme në emisionin “Top Talk”, Duka ka treguar arsyet pse përmendet në këto përgjime. Teksa shprehet se nuk është i surprizuar, Duka thekson që, sipas tij në përgjime dallohet qartë se është kundërshtar i këtij “krimi politik”.
“Unë jam ndikuar negativisht. Për mua nuk ka qenë ndonjë surprizë. Në përgjime dallohet që unë jam kundërshtar i këtij krimi politik.
Aty thuhet mos i thoni Gon Dukës që unë jam kundër. Sipas meje, duhet të ketë qenë ndonjë përkrahës i imi dhe do i jetë bërë ndonjë farë presioni, që duke qenë se ti je përkrahës i Gon Dukës, të mos i thoni atij, për votën që do i japë PS.
Besoj se konkurrenca është mes meje dhe kandidatit të PS (Ilir Drazhi), sepse ishim të dy në një zonë të rrezikuar.
E votat kanë shkuar për kandidatin që sot është deputet”, deklaroi Duka.