Një penalizim i pazakontë nga policia për kreun e PD-së së Gramshit Kodhel Çala. Marrja në makinën personale të miqve të tij, përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike në Gramsh dhe udhëtimi drejt Tiranës më 5 mars, i ka kushtuar një gjobë të majme dhe daljen në komision.
Ai është ndalur nga policia në aksin rrugor Elbasan-Cërrik dhe i është vendosur gjobë nga polici rrugor me arsyetimin se punonte si taksist në të ilegalisht. Në një prononcim për “BalkanWeb”, Çala i cili e ka paguar gjobën thotë se kjo është haptas presion për qytetarët që të mos dalin në protestë.
“Në 5 mars isha nisur për protestë në Tiranë. Kisha në makinën time nënkryetarin e degës, një anëtar të Kryesisë dhe 2 sekretarë seksionesh. Papritur më ndalon patrulla e policisë, në afërsi të Cërrikut. E ndaloj makinën dhe më kërkojnë dokumentet. Ia dhashë. Pasi i verifikoi dhe ishin në rregull, erdhi tek dera polici dhe më tha dil dhe hap bagazhin. Vajta e hapa. E kontrolluan bagazhin nga të gjitha anët, s’kishte gjë për të dyshuar, e mbylla, polici u largua dhe diç po shkruante. Unë u afrova dhe i thashë a mund ta di çfarë po shkruani se duhet të më sqaroni. Tha për ju kemi të dhëna që punoni taksist dhe do shkoni në komision. U çudita, qesha me vete, e morën vesh dhe ata që kisha në makinë dhe i thashë unë nuk punoj taksi. Unë jam filani, siç e pe tek dokumentet, dokumentet janë të rregullta, unë nuk punoj taksi. Unë po iki për protestë. Jo ne kemi të dhëna që ju punoni taksi dhe siç e shikoni unë kam dalë në komision, kam paguar tashmë edhe gjobën. Por çka më bëri përshtypje, ishte se polici kishte një indicie, me sa kuptova”, tregoi Çala.
Ai shpjegoi më tej se në të njëjtën ditë kishte plot makina që udhëtonin drejt Tiranës edhe për protestë dhe askush nuk i ndaloi, përveç makinës sime duke e konsideruar të urdhëruar policin që vendosi gjobën dhe heqjen e patentës.
Kreu i PD Gramsh deklaroi se të gjithë janë çuditur, përfshirë dhe komisionin.
“Të gjithë janë çuditur por edhe ndërkohë janë revoltuar se si është e mundur të arrihet deri këtu. Dhe kjo është thjesht për të ndalur protestat mbarëpopullore por duhet ta dinë mirë qeveria në qendër dhe lokale se zëmëratën e popullit nuk mund ta ndalin më. Unë kam shkuar direkt tek komisioni. Mund të them fjalët më të mira për ata të komisionit dhe ata ngritën supet. ‘Ç’ështe kjo thanë, kjo është ashiqare, është skandal’, kam shumë respekt për ata. Ata thanë nga ta rrotulloni, deri tek minimalja, s’kemi çfarë të bëjmë më tepër”, përfundoi Çala.
Ai është një ndër figurat më të njohura politike në rrethin e Gramshit. Në vitin 1996 është zgjedhur për herë të parë si kryetar komune në Tunjë e deri në vitin 2015. Në vitin 2015 kandidoi për kreun e bashkisë nga Partia Demokratike. Në vitin 2017 renditet i nënti në listën për deputetë në qarkun Elbasan nga Partia Demokratike. Në vitin 2018 u zgjodh kreu i PD në rrethin e Gramshit.