Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar lidhur me diskutimet mes palëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kim u shpreh se e vlerëson draftin e sjellë nga opozita jashtëparlamentare, si pjesë e angazhimit të saj për të përfaqësuar popullin dhe qëndrimin e maxhorancës për t’i shqyrtuar këto propozime.
Më tej, ajo deklaroi se nëse do të bëhen ndryshime që nuk i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit, duhet të marrin formë vetëm me dakordësinë e të gjithë palëve.
“Kam drekuar bashkë me kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe pres të takohen me zyrën e Kadastrës këtu. Një nga prioritetet tona të mëdha është të rrisim investimet amerikane në Shqipëri. Zgjidhja e problemeve të pronësisë do të jetë një hap përpara. Në qershor Kuvendi miratoi një ligj që nuk është perfekt por do të shpjerë në drejtimin e duhur.
Jam shumë e kënaqur që opozita jashtë parlamentit ka marrë përgjegjësitë e saj për të përfaqësuar popullin. E kam thënë edhe para disa ditësh që opozita të jetë e angazhuar dhe të gjitha palët të sjellë propozime që janë reale. Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim dhe jam e lumtur që PS ka thënë se do ta marrë këtë kundërpropozim dhe do të ketë një debat real për ta përfshirë. Kjo është ajo që duhet të presim nga një vend që është anëtar i NATO-s, aspiron BE-në dhe kryeson OSBE-në. 5 qershori arriti një marrëveshje transparente dhe çdo palë që ka nënshkruar duhet t’i qëndrojë asaj sepse është çështje nderi. Nëse palët bien dakord për çështje të tjera përtej 5 qershorit ne do ta mbështesim”, tha ambasadorja e SHBA-ve nga Himara.