Pak çaste më parë, kryeministri Edi Rama zbuloi orarin kur do nisë vaksinimi, ndërsa ka garantuar se vaksina është e garantuar. I pranishëm në ambientet e stadiumit Air Albania, ku dhe do të kryhet vaksinimi anti-Covid, kreu i qeverisë garantoi se Shqipëria nuk është mbrapa vendeve europiane. Në deklaratën për media, ai tha se do të bëjë vaksinën, për të treguar se ajo është e sigurtë, duke hedhur poshtë ato që i cilësoi si përralla për futje çipash.
“Nuk jemi prapa vendeve europiane për vaksinimin, kjo paketë e parë është dhuratë, nuk është e blerë. Dozat e kësaj jave janë të pakta. Do japim një kontribut për infektivin e Prishtinës. Ministrja është në kontakt me homologun.
Pasnesër do të bëjmë publik me pamje vendin, mënyrën e ruajtjes dhe të gjithë procesin në mënyrë që të jemi transparentë. Në këtë luftë, që prej fillimit nuk jemi prapa askujt.
Unë do e bëj vaksinimin, për të dhënë provën e qartë, që vaksina jo vetëm është e sigurtë, dhe për të lënë pas dokrrat me çipa e transformimet në viking e aziatikë, që janë qesharake”, tha Rama.