Nga Alfred Peza
Pas “manifestimit” të 2 marsit, të organizuar nga Ilir Meta në bulevard, sa më shumë që Presidenti i Republikës ka hyrë në shtegun e errët të ikjes pa kthim, aq më shumë qartësohet opinion publik rreth fundit të kësaj historie të palavdishme politike. E ajo që është qartësuar më shumë se çdo gjë tjetër, si të ishte jo drita e celularëve si koreografia e një “proteste politike” por bash si drita e diellit, është ndarja mes asaj që mund të bëjë pas kësaj Ilir Meta dhe asaj që nuk i bën dot ai, si Kryetar Shteti.
Ndaj, gjithkush duhet të kuptojë mirë diferencën e pangatërrueshme mes deklaratave të tij politike dhe fuqive të tij reale kushtetuese dhe ligjore për ti jetësuar tani e tutje ato. Aq më tepër që pasi doli nga gardhi i institucionit në rrugë, ai është vetëm “de jure” President dhe jo më edhe “de facto”. Ndaj, mos e merrni më seriozisht pas kësaj Ilir Metën, për gjërat që thotë. Sepse do ju duhet të bëni pak më shumë durim, për të parë nëse i bën dot ato që thotë, përtej dëshirave të tij pa limit.
Përshembull nga tribuna e “manifestimit”, ai tha se pas 15 marsit do të shpërndajë Parlamentin. Madje edhe u betua publikisht e solemnisht për këtë. Po çfarë do të ndodhë?, do pyesë me të drejtë çdokush që e dëgjon. Sa shanse dhe mundësi ka që të ndodhi kjo? Përgjigja është fare e thjeshtë: Ilir Meta si individ, edhe mund ta bëjë këtë. Por, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, JO.
Ilir Meta si qytetar apo si qenie politike, edhe mund të firmosë mbi një shkresë e cila si formë e përmbajtje, mund të duket “zyrtare”. Po. Kjo është e mundur, po të kujtojmë se e ka bërë këtë edhe më parë. Përshembull Ilir Meta e hodhi firmën pa u menduar gjatë, madje live përballë të gjitha kamerave televizive, kur çdekretoi zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare të 30 Qershorit 2019. Por, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, nuk mundi që ta bënte dot këtë. Sepse ajo shkresë që ajo firmosi dhe e paraqiti përballë gjithë opinionit publik, ishte nul. Nuk kishte asnjë vlerë, e për rrjedhojë asnjë fuqi për aq kohë sa ishte anti-kushtetuese.
Ndaj zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor edhe pse opozita që i kishte mbushur atij bulevardin, i bojkotoi ato. Ato u pranuan. U certifikuan. U njohën nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare, duke marrë edhe bekimin e SHBA, BE dhe aleatëve tanë të tjerë. Pas kësaj, mazhoranca parlamentare ngriti një komision hetimore për shkeljen e rëndë kushtetuese të bërë nga ana e Presidentit të Republikës, duke nisur edhe procedurën për shkarkimin e tij. Pas kësaj, Ilir Meta nuk u ndal. Duke vijuar që të konsumojë të tjera raste të ngjashme apo të krahasueshme me këtë. E ato nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë shtuar listën e akuzave ndaj Presidentit, në procesin e shkarkimit që pritet të konkludohet së shpejti.
Ky ishte shembulli më klasik për të treguar se çfarë është në gjendje që të bëjë Ilir Meta si individ dhe çfarë nuk është e mundur që ta bëjë ai, si President i Republikës. Ndaj, edhe në rastin e debatit për shpërndarjen ose jo të Parlamentit nga ana e tij, përfundimi do të jetë i njëjtë. Ilir Meta pas 15 marsit mund të firmosë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, madje mund ta bëjë këtë edhe brenda asaj salle siç edhe premtoi. Por Kryetari i Shtetit Shqiptar, nuk mund ta bëjë dot këtë, sepse nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese dhe ligjore.
Dokumenti themeltar i shtetit, i ka të përcaktuara shumë qartë, të tria rastet kur mundet dhe kur nuk mundet që Presidenti i Republikës, ta shpërndajë Kuvendin e Shqipërisë. Rasti i parë, ka të bëjë me momentin kur pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Parlamenti i ri dështon në tri votime për të zgjedhur Kryeministrin e ri të vendit. Rasti i dytë, kur pas 5 votimesh Parlamenti nuk arrin që të zgjedhë dot Presidentin e ri të Republikës. Dhe rasti i fundit, kur mocioni i mosbesimit i Kryeministrit për Këshillin e ministrave, nuk arrin që të konfirmojë mbështetjen nga shumica e deputetëve (70+ 1) të Kuvendit.
Duke qenë se nuk jemi në asnjërën prej tri rasteve, mund ta lexoni premtimin e ri, thjeshtë si një dëshirë të Ilir Metës. Ose, si një deklaratë të pastër politike, nëse dëshironi. Ndaj pas 15 marsit, e firmos apo nuk e firmos Ilir Meta dekretin, Parlamenti as nuk shpërndahet dhe as nuk do të pengohet dot për asnjë çast, që të përmbushi mandatin e tij legjitim 4 vjeçar, të dhënë sovrani. E kur flet sovrani, individi kushdo qoftë ai, ka vetëm një mundësi: Të heshtë dhe ti bindet. Nëse nuk e bën, kjo nuk është më çështje e askujt tjetër, përveçse e Ilir Metës!