E martë, 7 Dhjetor, 2021
7.5 C
Tirana

A do rivendosë SPAK drejtësi për 21 janarin

Të gjithë e kanë kuptuar se Vettingu që po ndodh në gjyqësorin shqiptar, është produkt i presionit të ndërkombëtarëve, për t’i dhënë fund kulturës së rrënjosur thellë në Shqipëri të pandëshkueshmërisë. Që sistemi ka qenë i kalbur, këtë e dëshmojnë mijëra vendime, që kanë prodhuar padrejtësi dhe konflikte të reja.

Por dekadën e fundit, ndërkombëtarët kanë cituar në veçanti 2 raste shembullore të mungesës së drejtësisë: Tragjedinë e Gërdecit dhe 21 Janarin. Në të dyja rastet, gjyqësori mbërriti në të njëjtin përfundim që kishte mbërritur me herët politika. Gërdeci ishte një “aksident teknologjik”, ndërsa më 21 janar 2011 pati “vrasje nga pakujdesia” nga ana e oficerëve të Gardës së Republikës.

Gjyqtarët e kanë pasur të thjeshtë të ndjekin udhëzimet nga lart, dhe për këtë u shpërblyen. Këtë e tregon fakti se thuajse të gjithë ata që kanë trajtuar në të gjitha hallkat e sistemit këto 2 çështje, janë shkarkuar nga detyra, për shkak të mos justifikimit të pasurive të tyre qindra mijëra euroshe.

Nëntë vitet e kaluara nga ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, i kanë bërë më të qetë ish-drejtuesit kryesorë të shumicës së djeshme, veçanërisht Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, që atë ditë panë gjithçka nga zyra e ish-kreut të qeverisë.

Pavarësisht përbetimeve, ish-kryeprokurori Adriatik Lalla, sot nën akuzë për pastrim parash, ndihmoi në lënien e gjërave ashtu siç ishin. Ndërsa me kalimin e viteve, shumica qeverisëse e Edi Ramës u ngarkua me skandalet e veta, duke nisur që me kanabizimin e vendit.

Çdo vit ky i fundit shoqëron familjarët e 4 viktimave në homazhet që zhvillohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku ranë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Por nga viti në vit, Rama e ka gjithmonë e më të vështirë të thotë apo premtojë vënien në vend të drejtësisë. Përvjetorët e parë u “shtynë” me premtimin e “drejtësisë së re”, që do të nxirrte para drejtësisë fajtorët.

Ngritja këtë vit e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), dhe Byrosë Kombëtare e Hetimit, është reklamuar shpesh si momenti i kthesës. Fjalët nxisin në përgjithësi shpresë. Por në Shqipëri ato kanë pësuar një inflacion shumë të madh, dhe besohen me shumë vështirësi.

Familjarët e viktimave të 21 janarit, janë dëmshpërblyer me vendim gjykate me dhjetëra miliona lekë secili. Megjithatë gjaku nuk shitet, dhe shpirti i tyre kërkon drejtësi. Problemi është se kjo drejtësi, nënkupton trazimin e jetës së disa politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Diçka që këta të fundit nuk mund ta tolerojnë, dhe për të cilën janë të gatshëm të luajnë dhe gurët e fundit. Çështjet gjyqësore, janë përdorur dhe përdoren shpesh në luftën politike, për të shantazhuar dhe i kujtuar kundërshtarit “vijën e kuqe”. Lulzim Basha u shpall disa ditë më parë i pafajshëm nga gjykata shqiptare, për akuzën e financimit me paratë ruse të lobimit të PD në SHBA. Ndoshta ai nuk ka bërë asgjë të keqe, dhe nuk ka lidhje me rusët, por se përse nuk mendon kështu ish-bashkëpunëtori i tij amerikan në këtë lobim, Nik Muzin, kjo nuk është sqaruar ende.

Lexo edhe :   Gabriel Escobar do të përcjellë në Shqipëri mesazhin e Rozenbergëve

Fatos Nano, thoshte dikur se Sali Berishën e kishte “hipotekën” e tij të qëndrimit të sigurtë në pushtet për shumë vite. Berisha shihej gjerësisht si përgjegjës për skemat financiare piramidale dhe trazirat e 1997-ës. Ndoshta Basha është sërish sot “hipoteka” e Ramës për qëndrimin sa më gjatë në pushtet, dhe për hipotekimin e mandatit të tretë qeverisës.

Lexo edhe :   E shkarkuat Bashën, e pastaj …?

I dobët në drejtimin e një opozite që ka ende hijen e rëndë të Berishës, dhe i kompleksuar nga problemet me drejtësinë për dosjet e “Rrugës së Kombit” dhe 21 “Janarit”, kur ai mbante postin e Ministrit të Brendshëm, Basha cilësohet si jo frymëzues nga demokratë por dhe jo vetëm.

Ana e pasme e 21 janarit është çështja e video-përgjimit Prifti-Meta, që shërbeu edhe si pretekst për demonstratën e madhe të 9 viteve më parë para selisë kryeministrore. Në videon e realizuar në ditët e para të marsit 2010 në zyrën e Dritan Priftit, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, Ilir Meta sot President i Republikës, kërkonte favore për tenderin e ndërtimit të një hidrocentrali. Gjatë bashkëbisedimit mes tyre, përmendet shifra 700 mijë euro.

Gjykata e Lartë, pranoi pretendimin e Metës, sipas të cilit video ishte e montuar, dhe fjalët ishin nxjerrë jashtë kontekstit, duke e shpallur atë të pafajshëm nga akuza e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Veç pjesës tragjike, 21 Janari pati edhe anën e vet komike. Ish-kryeministri Sali Berisha, shpalli para medias një teori komploti që përfshinte eleminimin e tij fizik, në kuadrin e një grushti shteti të drejtuar nga Edi Rama dhe presidenti i atëhershëm Bamir Topi, dhe ku bashkëpunëtorë ishin opozita, Prokurorja e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, dhe disa shërbimeve të huaja inteligjente.

Mbi këtë teori, pati edhe një komision hetimor parlamentar, që në fund nuk serviri asnjë fakt konkret, duke mos arritur të ndëshkojë dot “puçistët”. 21 Janari, mbetet ndër ngjarjet më të rënda të tranzicionit, dhe është një produkt i politikës. Pa zbardhjen e plotë të tij, dhe vënien para përgjegjësisë reale të autorëve, nuk mund të pretendohet se gjërat në këtë vend, po nisin të ndryshojnë për mirë.

TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

“Njeriu njihet kur ceket interesi personal”, Basha flet për Berishën

“E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që...

Clinton nderon kryeministrin Rama me çmimin “Vital Voices Global”

Kryeministri Edi Rama u nderua gjatë vizitës së tij në Nju Jork, me çmimin e “Inovatorit të nderuar global” nga organizata e themeluar nga...

Ukraina fuçi baruti

Perëndimi i forcon krahët Ukrainës. Për shkak të rritjes së tensioneve ushtarake me Rusinë, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania kanë mbështetur...

Gjici shfrenon fantazinë: As Gjermania s’i ka bërë investimet që ka bërë Kukësi

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, ka surprizuar me deklaratën e tij publike, duke thënë se as Gjermania nuk i ka bërë investimet që ka...

Foltorja dhe Prefekti, nuk janë hallet e shqiptarëve

Nga: Artur Ajazi Në një kohë kur gjithë bota merret me problemet e pandemisë, apo rritjes së mirëqenies, zgjidhjen e krizave dhe shuarjen e vatrave...