Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla është dënuar me burg, pas shumë seancash gjyqësore, zvarritjesh dhe debatesh. Vendimi në fjalë është marrë dje nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Llalla është dënuar me dy vite burg nga Apeli i GJKKO, vendim ky që la në fuqi vendimin e marrë më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për ish-kryeprokurorin, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.
“Mbi përfundimin e gjykimit ndaj të pandehurit Adriatik Llalla. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur: Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim”, thuhet në njoftim.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bën me dije se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike, si dhe i janë konfiskuar disa pasuri.
Sipas njoftimit të SPAK, pronat dhe pasuritë e Llallës i kalojnë për administrim shtetit shqiptar.
“Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare. Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen: Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës. Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit”, thuhet në njoftim.