Autoritetet kanë nisur nga hetimet, pas tragjedisë që ndodhi në Tetovë, ku flitet për një numër të lartë viktimash e po kështu të lënduarish. Zjarri shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, për të cilin në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit.
“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.
Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë, ka dhënë mëngjesin e së enjtes detaje rreth zjarrit tragjik që ra në spitalin Covid në Tetovë. Sipas asaj që thuhet në një njoftim për mediat, deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa sqarohet se mes tyre nuk ka staf mjekësor.
Për shkak të djegieve të rënda, njoftohet se për disa nga viktimat do duhet bërja e analizave të ADN-së për t’i identifikuar.
“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë.
Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së, për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve.
Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit.
Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”.