Mjekët e njohur, Genc Sulçebe dhe Skënder Brataj, janë përplasur në studion e emisionit ”Open”, lidhur me masat kundër koronavirusit.
Sipas Sulçebe. pandemia e koronavirusit në vendin tonë, po shkon drejt fundit. Ai u bazua te studimi i Akademisë së Shkencave, që është bërë në kryeqytet dhe argumenton sa përqind e popullsisë mund të jenë imunizuar.
Genc Sulçebe: “Jemi drejt imunitetit kolektiv. Duket se popullata më e prekshme, popullata mbi 55 vjeç janë vaksinuar. Po ashtu nga mosha nën 55 vjeç, një pjesë e konsiderueshme janë të mbrojtur natyralisht, pasi kanë kaluar Covid 19, ndërsa te një pjesë tjetër fatmirësisht po vazhdon vaksinimi. “Në daljen nga ‘lockdown-i’ i pari, në fund të majit, kishim arritur 7,4%, të imunizimit, pasi kaluan Covid. 6 muaj më vonë, kjo shifër në të njëjtin popullatë ishte 49%. Në këto shifra, nëse fillojmë nga një pikënisje 49% në fund të dhjetorit, po të llogarisësh një rritje prej 5% çdo muaj, atëherë mund të hamendësojmë se rreth 70% e popullsisë ka arritur imunizimin. Duke u nisur dhe nga disa indicie shifrore dhe teoria e komunitetit kolektiv, themi se po arrijmë drejt imunitetit të masës”.
Por Brataj, kundërshtoi rezultatet e studimit të Akademisë së Shkencave. Sipas tij, është një studim i cunguar dhe nuk paraqet realitetin.
Skënder Brataj: “Nuk janë shifra aq domethënëse, se po të ishte 48% në atë moment (dhjetorin e kaluar), nuk do të kishim valën e shkurtit, marsit. Ishte një studim pjesor, në një popullsi të vogël. Nuk mund të na japin realitetin e asaj që ndodhi.
Edhe sot që flasim, vazhdojnë të vijnë pacientë në gjendje të rëndë, që shtrohen në spital”.