Shqiptari i parë që vaksinohet me vaksinën ndaj koronavirusit është Arjet Gega. Mjeku shqiptar punon si specialist i sëmundjeve Infektive dhe asistent profesor në shtetin e Connecticut-it. Në një intervistë për Top Channel, ai iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të bëjnë vaksinën, duke mos iu kushtuar rëndësi teorive konspirative.
Ai shprehet se u vaksinua si pjesë e planit të Qeverisë Federale për punonjësit e shëndetit, që janë në kontakt me pacientët me Covid-19. Deri më tani nuk ka patur asnjë efekt anësor, dhe se ndjehet shumë mirë. Thirrja e tij është ndaj të gjithë shqiptarëve që të vaksinohen, pasi është në të mirë të shëndetit të tyre.
‘Ne jemi njërëz të shkencës, të mjekësisë. Efikasiteti është i mrekullueshëm. Nuk e prisnim të kishte kaq shumë efikasitet prej 95 përqind.
Ka kaluar pothuesje gjysmë dite, ndjehem shumë mirë. S’kam patur as dhimbjen e krahut që është e përgjithshme me të gjithë vaksinat. S’kam patur as dhimbje trupi, dhe as temperaturë.
Ka shumë pak efekte anësore. Më pak se 10% e pacientëve kanë patur temperaturë, që zgjat më pak se 24 orë. Vaksina është drita në fund të tunelit. Duhet të mendojmë si ta fitojmë këtë betejë.
Qesh kur dëgjoj ata që thonë do të na ndjekim me çip. Mesazhi im kategorik: Ju lutem vaksinohuni. Problemi aktual është që vaksinat nuk janë të disponueshme, por kur të jenë prezent, çdo shqiptar duhet të vaksinohet, pa asnjë mëdyshje dhe gjithnjë iu them atyre që lëshojnë mesazhe të painformuara jashtë fushës së tyre të ekspertizës se po rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe jetën”, tha Gega.