Gjatë ditëve të fundit, socialistët po akuzojnë PD-në dhe LSI-në se po përdorin fëmijët si kamikaz, për të shkaktuar dhunë dhe terror në vend. Kjo referuar protestave për 25 vjeçarin Klodian Rasha.
Pak ditë më parë, drejtuesi politik i PS-së në qarkun Shkodër, Ilir Beqaj, ka reaguar për protestën në qytetin verior, ku janë djegur sende që ishin brenda selisë të Partisë Socialiste. Beqaj theksoi se pala tjetër politike po përdor fëmijët si “kamikaz”, duke shtuar se veprimi i një polici nuk përfaqëson Policinë e Shtetit.
Po kështu ka reaguar edhe kryeministri Rama. Përdorimin e fëmijëve e sheh si një akt kriminal, dhe i krahason liderët e opozitës dhe vetë kreun e shtetit me organizatën terroriste të Boko Haramit në Nigeri. “Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!”, shprehej Rama.
Marrë shkas nga këto akuza, një kundërpërgjigje ka ardhur nga ish-presidenti Bujar Nishani, i cili i ka publikuar një video kryeministrit Rama. “Besojeni po të doni rilindsin që “proteston” ndaj përdorimit të fëmijëve si kamikazë!!!!!” Ky fëmijë edhe mund të kishte rrezikuar jetën seriozisht”, ka shkruar ai bashkëngjitur videos në fjalë.