Rama ka kritikuar jo vetëm deputetët, por edhe shoqërinë civile që janë marrë këto ditë me rastin e abuzimit të së miturës nga ish-roja e shkollës ku ajo studionte. Duke i mëshuar se krimi mbetet krim dhe se nuk ka të justifikuar, por më e rëndë për të mbetet fakti se si një viktimë e dhunës përdoret në këtë mënyrë.
Me tone të larta, ai tha në fjalën e marrë në Kuvend se të gjithë, me mesazhet ngado e kanë ridhunuar të miturën. Po kështu, ai i është vënë në mbrojtje ministres Besa Shahini, lidhur me sulmet e ardhura në adresë të saj. Kreu i qeverisë, duke qëndruar në të njëjtën linjë, deklaroi se ata që sulmojnë ministren, nuk e kanë hallin tek viktima. (15-vjeçarja)
“U kalua në abuzim, që nuk është në nivelin e abuzimit trupor, por është në nivelin e abuzimit psikologjik për një popull të tërë. Është fatkeqësi që njerëz që kanë një mikrofon, pavarësisht nëse janë deputetë apo shoqëri civile, dhe e marrin viktimën dhe e bëjnë mish për topat e tyre.
Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Atë viktimë, që gjënë më të rëndësishme dhe kërkesën themelore që ka, gjë që e thonë dhe e rrëfejnë viktimat e dhunës së kësaj natyre, është më ruani anonimitetin.
E marrin dhe e përplasin mur më mur, e portal më portal, siç përplasen oktapodët kur i bën petë-petë.
Ky është kanibalizëm. Pseudo intelektualë, pseudo-politikanë e pseudo-qytetar. Është fatale sesi një viktimë e dhunës përdoret në këtë mënyrë. S’kam dyshim që disa prej atyre që folën, vuajnë me të vërtetë.
Por krimi është krim. E kanë kthyer këtë në shkop, për t’ju rënë të tjerëve. Që po, jeni ridhunues të asaj fatkeqeje. E keni ridhunuar. Nuk besoj që ata që sulmojnë ministren, e kanë hallin tek ajo viktimë.
Nuk mund të mbrosh një viktimë të abuzimit, duke akuzuar dikë tjetër. Nuk funksionon. Kisha Katolike, ka prej vitesh që ka hyrë në një proces të tmerrshëm të përballjes me pedofilinë.
Kardinalë, peshkopë, të të gjitha niveleve të përfshirë në skandale të ngacmimeve ekstreme. Dhe kjo, që e ka goditur në mënyrë shumë të egër kredibilitetin e Kishës, s’ka qenë kurrë as brenda kishës as në shoqëritë që janë përballur me priftërinjtë, të zbuluara para popullit si pedofilë, si arsye për të shkatërruar kishën apo besimin.
Këtu viktima është bërë poster. Është bërë paçavure, dhe askush nuk ka shkuar të qajë hallet me të, pa lënë që të merret vesh. Askush! Nëse është dikush që e ka bërë, është ajo gruaja atje. (Tregon Besa Shahinin). Që lloj lloj çakejsh dhe monstrash e sulmojnë pa turp. Çfarë duan ata, që ministrja të bëjë krim? Të dalë dhe të merret në publik me të? Apo të marrë të gjitha masat siç i ka marrë?”.