Në një konferencë për mediat, ku po prezantohen projektet dhe modelet e rindërtimit për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Rama deklaroi se procesi do të nisë nga familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura. Ai tha se brenda vitit do jenë sistemuar mijëra familje. Theksin ai e vuri tek familjet të cilat janë ende në çadra, e që nuk duan të shkëputen nga toka e tyre.
“Ata kanë më shumë se të tjerët domosdoshmërinë për të hyrë në një shtëpi të re. Synohet që brenda këtij viti të kemi sistemuar disa mijëra familje. Shtëpitë e para do të jenë për familjet në çadra, që nuk duan të shkëputen nga tokat e tyre”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se do të ndërtohen lagje krejtësisht të reja. Ajo premtoi se do të ketë shtim të shërbimeve të munguara. Po kështu, duke iu referuar projektit, bëhet fjalë për tre lloje banesash.
“Do të ketë shtim të shërbimeve të munguara. Do të ketë tre lloje banesash; banesa njëkatëshe, teknologji modulare, kopsht bujqësor, oborr dhe verandë. Elementët përbërës të shtëpive; bazamenti, struktura, muret dhe izolimi, çatia. I jemi bazuar rezistencës së tërmetit 9 ballë”, tha Margariti.
Pas saj fjalën e mori Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj. Ai deklaroi se grantet për qytetarët, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, do të jepen në varësi të dëmeve të shkaktuara.
“I gjithë kuadri i prezantimit ka të bëjë me një nga parimet kryesore të rindërtimit, transparenca. Ky është parimi bazë i deklaratës së qëllimeve mes donatorëve dhe qeverisë shqiptare.
Modelet janë rezultante e kujdesshme e një procedure teknike. Behët fjalë për rindërtim dhe më të mirë. Programet janë të detajuara në ligj. Atje ku do të shembet, në zonë jashtë Tirane, procesi vazhdon. Janë 115 pallate për t’u shembur dhe njësi individuale jashtë Tiranë 2000 e ca. Janë 62 shkolla që do të rindërtohen dhe disa të tjera që do të riparohen, por me konceptin; ‘Rindërto më mirë’.
Programi për strehimin nuk do të jetë kompensim, por ofrimi i kushteve optimale për strehim. Mënyra se si qeveria shqiptare i kthehet rindërtimit, është unike. Shkon me kombinim grantesh dhe kredi.
Për 30 sekonda humbën 7.5 % të prodhimit të brendshëm bruto. Për njësitë individuale do të ketë vetëm 3 modele. Dhe përpjekja dhe procedurat do të jenë të përbashkëta dhe me shoqatat humanitare, të cilat s’do dalin kundër këtij ligji. Fondi i rindërtimit në formatet e veta shkon në 1.15 mld. Në fund të vitit ky fond është i trashëgueshëm”, tha Ahmetaj.